Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Psalmet 107:17-32 Bibla Shqip (ALBB)

17. Disa njerëz pa mend vuanin për sjelljen e tyre rebele dhe për mëkatet e tyre;

18. ata urrenin çdo ushqim dhe kishin arritur në prag të vdekjes,

19. por në fatkeqësinë e tyre i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre.

20. Ai dërgoi fjalën e tij dhe i shëroi, i shpëtoi nga gropa.

21. Le ta kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve;

22. le të ofrojnë flijime lëvdimi dhe le të tregojnë veprat e tij me këngë gëzimi.

23. Ata që zbresin në det me anije dhe që bëjnë tregti mbi ujërat e mëdha,

24. shohin veprat e Zotit dhe mrekullitë e tij në humnerat e detit.

25. Sepse ai urdhëron dhe shkakton një erë furtune, që i ngre përpjetë valët e detit.

26. Ata ngjiten deri në qiell dhe bien në humnera; shpirti i tyre ligështohet nga ankthi.

27. Atyre u merren këmbët dhe lëkunden si të dehur, dhe nuk dinë më ç'të bëjnë.

28. Por në fatkeqësitë e tyre i këlthasin Zotit, dhe ai i shpëton nga ankthet e tyre.

29. Ai e fashit furtunën në një murmurim dhe valët e saj pushojnë.

30. Kur ato qetësohen, ata gëzohen, dhe ai i çon në portin e dëshiruar prej tyre.

31. Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë që bën në dobi të bijve të njerëzve;

32. le ta lëvdojnë në kuvendin e popullit dhe le ta lavdojnë në këshillin e pleqve.

Lexoni kapitullin e plotë Psalmet 107