Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Predikuesi 7:11-27 Bibla Shqip (ALBB)

11. Dituria është e mirë bashkë me një pasuri dhe u sjell përfitime atyre që shohin diellin.

12. Sepse dituria është një mbrojtje ashtu si është paraja; por epërsia e diturisë qëndron në këtë; dituria i bën të jetojnë ata që e zotërojnë.

13. Konsideroje veprën e Perëndisë: kush mund të drejtojë atë që ai ka bërë të shtrembër?

14. Në ditën e bollëkut ji i gëzuar, por në ditën e fatkeqësisë mendohu thellë. Perëndia ka bërë si njërën ashtu dhe tjetrën, me qëllim që njeriu të mos zbulojë asgjë nga ato që do të ndodhin pas tij.

15. Pashë gjithçka në ditët e kotësisë sime. Ndodh që i drejti të vdesë në drejtësinë e vet dhe që i pabesi të jetojë gjatë në ligësinë e tij.

16. Mos ji tepër i drejtë as i urtë jashtë mase. Pse kërkon të shkatërrohesh?

17. Mos ji tepër i keq dhe mos u trego budalla. Pse kërkon të vdesësh para kohës sate?

18. Është mirë që ti të kapesh pas kësaj gjëje dhe të mos heqësh dorë prej saj, sepse ai që ka frikë Perëndinë do t'u shmanget tërë këtyre gjërave.

19. Dituria e bën të urtin më të fortë se dhjetë të fuqishëm në një qytet.

20. Nuk ka në fakt asnjë njeri të drejtë mbi tokë që bën të mirën dhe të mos mëkatojë.

21. Përveç kësaj mos u vër veshin tërë fjalëve që thuhen, që të mos mallkohesh nga shërbëtori yt,

22. sepse zemra jote gjithashtu e di që ti vet i ke mallkuar shumë herë të tjerët.

23. Unë i hetova të gjitha këto gjëra me dituri. Thashë: "Do të bëhem i urtë", por dituria është mjaft larg nga unë.

24. Një gjë që është kaq larg dhe kaq e thellë, kush mund ta gjejë?

25. Atëherë e vura zemrën time të njohë, të hetojë dhe të kërkojë diturinë dhe shkakun e gjërave dhe të njohë ligësinë e marrëzisë dhe budallallëkun e marrëzisë;

26. dhe gjeta një gjë më të hidhur se vdekja; gruan zemra e së cilës është kurth dhe grackë dhe duart e së cilës janë pranga. Kush i pëlqen Perëndisë i shpëton asaj; por mëkatari do të kapet nga ajo.

27. Ja ajo që gjeta", thotë Predikuesi, "duke i shqyrtuar një për një gjërat, për të gjetur shkakun e tyre.

Lexoni kapitullin e plotë Predikuesi 7