Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Predikuesi 3:2-18 Bibla Shqip (ALBB)

2. një kohë për të lindur dhe një kohë për të vdekur, një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur atë që është mbjellë,

3. një kohë për të vrarë dhe një kohë për të shëruar, një kohë për të shembur dhe një kohë për të ndërtuar,

4. një kohë për të qarë dhe një kohë për të qeshur, një kohë për të mbajtur zi dhe një kohë për të hedhur valle,

5. një kohë për të flakur gurët dhe një kohë për të mbledhur gurët, një kohë për të përqafuar dhe një kohë për të mos përqafuar,

6. një kohë për të kërkuar dhe një kohë për të humbur, një kohë për të ruajtur dhe një kohë për të hedhur tutje,

7. një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur,

8. një kohë për të dashuruar dhe një kohë për të urryer, një kohë për luftën dhe një kohë për paqen.

9. Çfarë përfitimi ka ai që punon nga të gjitha gjërat për të cilat mundohet?

10. Pashë punën që Perëndia u jep bijve të njerëzve, me qëllim që të mundohen.

11. Ai e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën vet; ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund.

12. Kështu kuptova që nuk ka gjë më të mirë se sa të gëzohesh dhe të bësh të mirë sa je gjallë;

13. dhe që çdo njeri që ha, pi dhe gëzon mirëqenie në gjithë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.

14. E kuptova që tërë ato që bën Perëndia janë përjetë; nuk mund t'u shtosh dhe t'u heqësh asgjë; dhe Perëndia vepron kështu me qëllim që njerëzit të kenë frikë prej tij.

15. Ajo që është, ka qenë më parë; dhe ajo që do të vijë ka qenë më parë, dhe Perëndia heton atë që ka kaluar.

16. Kam parë gjithashtu nën diell që në vend të arsyes kishte paudhësi, që në vend të drejtësisë kishte paudhësi.

17. Kështu thashë në zemrën time: "Perëndia do të gjykojë të drejtin dhe të pabesin, sepse ka një kohë të caktuar për çdo gjë dhe për çdo vepër".

18. Thashë në zemrën time: "Për sa u përket kushteve në të cilat ndodhen bijtë e njerëzve, Perëndia i vë në provë, që ata vetë të kuptojnë që janë si kafshë".

Lexoni kapitullin e plotë Predikuesi 3