kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Osea 9 Bibla Shqip (ALBB)

1. Mos u gëzo, o Izrael, për të ngazëlluar si popujt e tjerë, sepse je kurvëruar duke u larguar nga Perëndia yt; ke dashur pagesën e prostitutës në të gjithë lëmenjtë e grurit.

2. Lëmi dhe trokulla nuk do t'i ushqejnë dhe mushti do t'i lërë të zhgënjyer.

3. Ata nuk do të banojnë në vendin e Zotit, por Efraimi do të kthehet në Egjipt dhe në Asiri do të hanë ushqime të papastra.

4. Nuk do t'i bëjnë më libacione vere Zotit dhe flijimet e tyre nuk do të pëlqehen prej tij. Do të jenë për ta si një ushqim zie; kushdo që do ta hajë do të ndotet, sepse buka e tyre do të vlejë për t'i mbajtur në jetë, nuk do të hyjë në shtëpinë e Zotit.

5. Çfarë do të bëni në ditët solemne dhe në ditët e kremtimit të Zotit?

6. Sepse ja, ndonëse i kanë shpëtuar shkatërrimit, Egjipti do t'i mbledhë bashkë, Mofi do t'i varrosë; gjërat e tyre të çmuara prej argjendi do t'i pushtojnë hithrat, dhe në çadrat e tyre do të rriten ferrat.

7. Kanë ardhur ditët e ndëshkimit, kanë ardhur ditët e shpagimit; Izraeli do ta mësojë. Profeti është një i pamend, njeriu i frymës flet përçart, për shkak të madhësisë së paudhësisë sate dhe të madhësisë së armiqësisë sate.

8. Roja e Efraimit është me Perëndinë tim, por profeti yt është një lak i gjuetarit të zogjve në të gjitha rrugët e tij; ka armiqësi në shtëpinë e Perëndisë së tij.

9. Ata u korruptuan thellë si në ditët e Gibeahut; por ai do ta mbajë mend paudhësinë e tyre, do të ndëshkojë mëkatet e tyre.

10. "Unë gjeta Izraelin si rrushi në shkretëtirë, pashë etërit tuaj si fiqtë e parë mbi një fik të ri. Por, mbasi arritën në Baal-Peor, u dhanë pas poshtërsisë dhe u bënë të neveritshëm si ajo që ata donin.

11. Lavdia e Efraimit do të fluturojë si zog; nuk do të ketë më lindje, as barrë, as mbarsje.

12. Edhe sikur të rritin bijtë e tyre, unë do t'i lë pa ata, derisa të mos mbetet më asnjë njeri; po, mjerë ata kur të largohem prej tyre!

13. Efraimi, duke shikuar nga Tiro, është vendosur në një vend të këndshëm; por Efraimi duhet t'ia çojë bijtë e tij atij që do t'i vrasë".

14. Jepu atyre, o Zot... Çfarë do t'u japësh atyre? Jepu atyre një bark që dështon dhe gji të shterura.

15. Gjithë ligësia e tyre është në Gilgal; atje fillova t'i urrej. Për shkak të ligësisë së veprimeve të tyre do t'i dëboj nga shtëpia ime, nuk do t'i dua më; tërë krerët e tyre janë rebelë.

16. Efraimi është goditur, rrënja e tij është tharë; ata nuk do të japin më fryt. Po, edhe sikur të kenë fëmijë, unë do të bëj që frytet e dashur të vdesin që në bark.

17. Perëndia im do t'i hedhë poshtë, sepse nuk e kanë dëgjuar. Dhe ata do të shkojnë duke u endur midis kombeve.