kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Osea 8 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Bjeri borisë! Armiku do të vërsulet mbi shtëpinë e Zotit si një shqiponjë, sepse kanë shkelur besëlidhjen time dhe kanë marrë nëpër këmbë ligjin tim.

2. Izraeli do të më bërtasë: "O Perëndia im, ne të njohim!".

3. Izraeli ka hedhur poshtë të mirën, armiku do ta ndjekë.

4. Kanë bërë mbretër disa, por jo sipas dëshirës sime; kanë caktuar krerë, por pa dijeninë time; me argjendin e tyre dhe me arin e tyre kanë bërë idhuj, me qëllim që të shkatërrohen.

5. Ai ka hedhur poshtë viçin tënd, o Samari. Zemërimi im u ndez kundër tyre. Deri kur do të jenë të paaftë për pastërti?

6. Edhe ky viç vjen nga Izraeli; e ka bërë një artizan dhe nuk është një perëndi; prandaj viçi i Samarisë do të bëhet copë-copë.

7. Meqenëse mbjellin erë, do të korrin furtunë. Kërcelli i grurit nuk do të bëjë kalli dhe nuk do të prodhojë grurë; edhe në se do të prodhojë, do ta hanë të huajt.

8. Izraelin po e gllabërojnë; ata janë bërë midis kombeve si një vazo e përçmuar.

9. Sepse janë ngjitur në Asiri, si një gomar i egër që jeton i vetmuar. Efraimi gjeti dashnorë me anë dhuratash.

10. Megjithëse ka gjetur dashnorë midis kombeve, tani unë do t'i mbledh dhe do të fillojnë të pakësohen nën barrën e mbretit të princave.

11. Sepse Efraimi ka shumuar altarët për të mëkatuar, ata janë bërë për të altare mëkati.

12. Kam shkruar për të gjërat e mëdha të ligjit tim, por ato u konsideruan si një gjë e çuditshme.

13. Sa për flijimet që më ofrojnë, ata bëjnë fli mish dhe e hanë; por Zoti nuk i pëlqen. Tani ai do të kujtojë paudhësinë e tyre dhe do të ndëshkojë mëkatet e tyre: ata do të kthehen në Egjipt.

14. Izraeli ka harruar atë që e ka bërë dhe ka ndërtuar pallate; Juda ka shumuar qytetet e fortifikuara; por unë do të dërgoj zjarrin mbi qytetet e tij, i cili do t'i gllabërojë kështjellat e tij".