Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Osea 4:8-19 Bibla Shqip (ALBB)

8. Ata ushqehen me mëkatin e popullit tim dhe e lidhin zemrën e tyre me paudhësinë e tij.

9. Si për popullin ashtu do të jetë edhe për priftin: unë do t'i dënoj ata për sjelljen e tyre dhe do t'i shpërblej për veprat e tyre.

10. Do të hanë, por nuk do të ngopen; do të kurvërohen, por nuk do të shtohen; sepse kanë hequr dorë nga dëgjimi i Zotit.

11. Prostitucioni, vera dhe mushti të lënë pa mend.

12. Populli im konsulton idhujt e tij prej druri dhe shkopi i tij i jep udhëzime, sepse fryma e prostitucionit i devijon, dhe ata kurvërohen, duke u shmangur nga Perëndia e tyre.

13. Ata bëjnë flijime mbi majat e maleve, djegin temjan ndër kodra, nën lisin, plepin dhe bafrën, sepse hija e tyre është e këndshme. Prandaj bijat tuaja kurvërohen dhe nuset e bijve tuaj shkelin kurorën.

14. Nuk do t'i dënoj bijat tuaja në se kurvërohen, as nuset e bijve tuaj në se shkelin kurorën, sepse ata vetë veçohen me prostitutat dhe ofrojnë flijime bashkë me prostitutat e tempujve; prandaj njerëzia që nuk ka mend do të vdesë.

15. Në qoftë se ti, Izrael, kurvërohesh, Juda nuk ka faj. Mos shkoni në Gilgal, mos u ngjitni në Beth-Aven dhe mos u betoni duke thënë: "Ashtu si Zoti rron".

16. Sepse Izraeli është kokëfortë si një mëshqerrë kryeneçe, tani Zoti do ta kullotë si një qengj në një vend të hapur.

17. Efraimi u bashkua me idhujt, lëre të veprojë.

18. Edhe kur qejfet e tyre kanë mbaruar, kryejnë vazhdimisht kurvërime; krerët e tyre e duan shumë turpin.

19. Era i ka lidhur në krahët e vet dhe atyre do t'u vijë turp për flijimet e tyre".

Lexoni kapitullin e plotë Osea 4