Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Osea 2:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. "U thoni vëllezërve tuaj: "Ami", dhe motrave tuaja "Ruhamah".

2. Protestoni kundër nënës suaj, protestoni, sepse ajo nuk është gruaja ime dhe unë nuk jam burri i saj. Le të heqë nga fytyra e saj shenjat e prostitucioneve të saj dhe shenjat e shkeljeve të kurorës nga gjinjtë e saj;

3. përndryshe do ta zhvesh lakuriq dhe do ta bëj si në ditën e lindjes së saj; do ta katandis në një shkreti, do ta bëj si një tokë të zhuritur dhe do ta bëj të vdesë nga etja.

4. Nuk do të kem mëshirë për bijtë e saj, sepse janë bij prostitucioni.

5. Nëna e tyre u kurvërua në fakt, ajo që është ngjizur është sjellë në mënyrë të turpshme, sepse ka thënë: "Do t'u shkoj pas dashnorëve të mi, që më japin bukën time dhe ujin tim, leshin tim dhe lirin tim, vajin tim dhe pijen time".

6. Prandaj ja, do të të zë rrugën me ferra, do ta mbyll me një mur dhe kështu nuk do të gjejë më shtigjet e saj.

7. Do të rendë pas dashnorëve të saj, por nuk do t'i arrijë; do t'i kërkojë, por nuk do t'i gjejë. Atëherë do të thotë: "Do të kthehem te burri im i parë, sepse për mua ishte më mirë atëherë se tani".

8. Ajo nuk kuptoi që unë i jepja grurë, musht dhe vaj dhe shtoja argjendin dhe arin e saj, që ata i ofronin Baalit.

9. Prandaj unë do të marr përsëri grurin tim në kohën e vet dhe mushtin tim në stinën e vet; do t'i heq leshin tim dhe lirin tim, që shërbenin për të mbuluar lakuriqësinë e saj.

10. Atëherë do të zbuloj turpet e saj në sytë e dashnorëve të saj dhe askush nuk do ta shpëtojë nga dora ime.

11. Gjithashtu do t'u jap fund gëzimeve të saj, festave të saj, hënave të reja të saj, të shtunave të saj dhe gjithë solemniteteve të saj.

12. Do të shkatërroj pastaj vreshtat e saj dhe fiqtë e saj për të cilët ajo thoshte: "Këto janë dhuratat që më kanë dhënë dashnorët e mi". Kështu do t'i katandis në një shkurrnajë dhe kafshët e fushave do t'i hanë.

13. Do ta dënoj pastaj për ditët e Baalit, kur u digjte atyre temjan, kur zbukurohej me vathë dhe me xhevahire dhe u shkonte pas dashnorëve të saj, por më harronte mua", thotë Zoti.

Lexoni kapitullin e plotë Osea 2