Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 8:11-24 Bibla Shqip (ALBB)

11. pastaj Aaroni do t'i paraqesë levitët si ofertë të tundur para Zotit nga ana e bijve të Izraelit, me qëllim që të kryejnë shërbimin e Zotit.

12. Pastaj levitët do të vënë duart e tyre mbi kokën e demave të vegjël, dhe ti do të ofrosh njërin prej tyre si flijim për mëkatin dhe tjetrin si holokaust për Zotin, për të bërë shlyerjen për levitët.

13. Do t'i mbash më këmbë levitët përpara Aaronit dhe para bijve të tij dhe do t'i paraqitësh si një ofertë të tundur për Zotin.

14. Kështu do t'i ndash levitët nga gjiri i bijve të Izraelit dhe levitët do të jenë të mitë.

15. Pas kësaj levitët do të hyjnë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbimin; kështu ti do t'i pastrosh dhe do t'i paraqitësh si një ofertë të tundur,

16. sepse më janë dhënë plotësisht nga gjiri i bijve të Izraelit; unë i mora për vete, në vend të të gjithë atyre që çelin barkun e nënës, në vend të të parëlindurve të të gjithë bijve të Izraelit.

17. Sepse të gjithë të parëlindurit e bijve të Izraelit, si të njerëzve ashtu dhe të kafshëve, më takojnë mua; i shenjtërova për vete ditën që godita tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit.

18. Mora levitët në vend të të gjithë të parëlindurve të bijve të Izraelit.

19. Dhe i dhurova Aaronit dhe bijve të tij levitët nga gjiri i bijve të Izraelit me qëllim që të kryejnë shërbimin e bijve të Izraelit në çadrën e mbledhjes dhe që të bëjnë shlyerjen për bijtë e Izraelit, që të mos ndodhë asnjë fatkeqësi midis bijve të Izraelit kur i afrohen shenjtërores".

20. Kështu vepruan Moisiu, Aaroni dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit me levitët; bijtë e Izraelit u bënë levitëve të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut lidhur me ta.

21. Dhe levitët u pastruan dhe i lanë rrobat e tyre; pastaj Aaroni i paraqiti si një ofertë të tundur përpara Zotit dhe bëri shlyerjen për ta, për t'i pastruar.

22. Pas kësaj levitët hynë në çadrën e mbledhjes për të bërë shërbimin e tyre në prani të Aaronit dhe të bijve të tij. Ata u bënë levitëve atë që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut lidhur me ta.

23. Pastaj Zoti i foli Moisiut duke i thënë:

24. "Kjo është ajo që u takon levitëve; nga mosha njëzet e pesë vjeç e lart leviti do të hyjë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbimet e rastit;

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 8