Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 32:28-42 Bibla Shqip (ALBB)

28. Atëherë Moisiu u dha porosi për ta priftit Eleazar, Jozueut, birit të Nunit, dhe kryefamiljarëve të fiseve të bijve të Izraelit.

29. Moisiu u tha atyre: "Në rast se bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit e kalojnë Jordanin bashkë me ju, tërë njerëzit e armatosur për të luftuar para Zotit, dhe vendi do të nënshtrohet para jush, do t'u jepni atyre si pronë vendin e Galaadit.

30. Por në rast se nuk e kalojnë Jordanin të armatosur bashkë me ju, do të kenë prona në mes jush në vendin e Kanaanit".

31. Atëherë bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit u përgjigjën duke thënë: "Do të veprojmë ashtu si u ka thënë Zoti shërbëtorëve të tu.

32. Do ta kalojmë Jordanin të armatosur para Zotit në vendin e Kanaanit, me qëllim që zotërimi i trashëgimisë sonë të mbetet nga kjo anë e Jordanit".

33. Moisiu u dha kështu bijve të Gadit, bijve të Rubenit dhe gjysmës së fisit të Manasit, birit të Jozefit, mbretërinë e Sihonit, mbretit të amorenjve, dhe mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashabit, vendin me qytetet përreth.

34. Kështu bijtë e Gadit ndërtuan Dibonin, Atarothin, Aroerin,

35. Atroth-Shofanin, Jaazerin, Jogbehahun,

36. Beth-Nimrahun dhe Beth-Aranin, qytete të fortifikuara, dhe vathë për kopetë e bagëtive.

37. Bijtë e Rubenit ndërtuan Heshbonin, Elealehun, Kirjathaimin,

38. Neboh dhe Baal-Meonin (emrat e tyre janë ndryshuar) dhe Sibmahun; dhe u vunë emra të tjerë qyteteve që ndërtuan.

39. Dhe bijtë e Makirit, birit të Manasit, shkuan në vendin e Galaadit, e pushtuan dhe shpronësuan amorenjtë që banonin aty.

40. Kështu Moisiu i dha Galaadin Makirit, birit të Manasit, i cili u vendos aty.

41. Jairi, bir i Manasit, shkoi dhe pushtoi fshatrat e tyre dhe i quajti Havoth-Jair.

42. Nobahu përkundrazi shkoi dhe pushtoi Kenathin me lagjet e tij të jashtme; dhe e quajti Nobah sipas emrit të tij.

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 32