Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 31:8-23 Bibla Shqip (ALBB)

8. Bashkë me viktimat që ata bënë, ata vranë edhe mbretërit e Midianit: Evin, Rekemin, Tsurin, Hurin dhe Reban, pesë mbretërit e Midianit; vranë gjithashtu me shpatë Balaamin, birin e Beorit.

9. Bijtë e Izraelit zunë robinja edhe të gjitha gratë e Midianit dhe fëmijët e tyre, rrëmbyen tërë bagëtinë e tyre, tërë kopetë e tyre dhe tërë pasuritë e tyre;

10. pastaj u vunë zjarrin të gjitha qyteteve ku ata banonin dhe të gjitha kalave të tyre,

11. dhe morën gjithë plaçkën e luftës dhe tërë prenë, njerëz dhe kafshë:

12. pastaj i çuan të burgosurit, prenë dhe plaçkën e luftës Moisiut, priftit Eleazar dhe asamblesë së bijve të Izraelit, që ishin vendosur në fushat e Moabit, pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos.

13. Moisiu, prifti Eleazar dhe të gjithë prijësit e asamblesë dolën për t'i takuar jashtë kampit.

14. Por Moisiu u zemërua me komandantët e ushtrisë, me krerët e mijësheve dhe të qindësheve, që po ktheheshin nga kjo fushatë lufte.

15. Moisiu u tha atyre: "Keni lënë gjallë të gjitha gratë?

16. Të nxitura nga Balaami, ato i shtynë bijtë e Izraelit të mëkatojnë kundër Zotit, në ngjarjen e Peorit, kur shpërtheu fatkeqësia në asamblenë e Zotit.

17. Prandaj vrisni çdo mashkull nga fëmijët dhe vrisni çdo grua që ka marrëdhënie seksuale me një burrë,

18. por ruajini të gjalla për vete të gjitha vajzat që nuk kanë pasur marrëdhënie seksuale me burra.

19. Ju do të qëndroni jashtë kampit shtatë ditë; kushdo që ka vrarë dikë dhe kushdo që ka prekur një person të vrarë, do të pastrohet ditën e tretë dhe ditën e shtatë; ky rregull vlen si për ju ashtu dhe për robërit tuaj.

20. Do të pastroni gjithashtu çdo rrobë, çdo send prej lëkure, çdo punë të bërë me leshin e dhisë dhe çdo vegël prej druri".

21. Pastaj prifti Eleazar u tha ushtarëve që kishin shkuar në luftë: "Kjo është rregulla e ligjit që Zoti i ka përcaktuar Moisiut:

22. vetëm arin, argjendin, bronzin, hekurin, kallajin dhe plumbin,

23. çdo gjë që i reziston zjarrit, do ta kaloni nëpër zjarr dhe do të bëhet i pastër; por do të pastrohen edhe me ujin e pastrimit kundër papastërtisë; ndërsa tërë gjërat që nuk mund t'i rezistojnë zjarrit, do t'i trajtoni me ujë.

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 31