Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 3:39-51 Bibla Shqip (ALBB)

39. Tërë levitët e regjistruar nga Moisiu dhe Aaroni në bazë të familjeve të tyre sipas urdhrit të Zotit, të gjithë meshkujt që nga mosha një muajsh e lart ishin njëzet mijë.

40. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Bëj regjistrimin e të gjithë të parëlindurve meshkuj ndër bijtë e Izraelit nga mosha një muajsh e lart dhe llogarit edhe emrat e tyre.

41. Do t'i marrësh levitët për mua, unë jam Zoti, në vend të të gjithë të parëlindurve ndër bijtë e Izraelit dhe bagëtinë e levitëve në vend të të parëlindurve ndër bagëtitë e bijve të Izraelit".

42. Kështu Moisiu bëri regjistrimin e të gjithë të parëlindurve ndër bijtë e Izraelit, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti.

43. Të gjithë të parëlindurit meshkuj që u regjistruan duke numëruar emrat e tyre nga mosha një muajsh e lart, ishin njëzet e dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë e tre.

44. Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

45. "Merr levitët në vend të të gjithë të parëlindurve të Izraelit, dhe bagëtinë e levitëve në vend të bagëtisë së tyre; levitët do të jenë të mitë. Unë jam Zoti.

46. Për shpengimin e dyqind e shtatëdhjetë e tre të parëlindur të Izraelit që e kalojnë numrin e levitëve,

47. do të marrësh pesë sikla për frymë, sipas siklit të shenjtërores; sikli ka njëzet gere.

48. Paratë do t'ia japësh Aaronit dhe bijve të tij për të shpenguar ata që e kalojnë numrin e tyre".

49. Kështu Moisiu mori paratë e shpengimit nga ata që e kalonin numrin e të parëlindurve të shpenguar nga levitët;

50. mori paratë e të parëlindurve të bijve të Izraelit; një mijë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë sikla, sipas siklit të shenjtërores.

51. Pastaj Moisiu paratë e atyre që ishin shpenguar ia dha Aaronit dhe bijve të tij, sipas urdhrit të Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 3