Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 3:21-40 Bibla Shqip (ALBB)

21. Nga Gershoni rrjedhin familja e libnitëve dhe familja e Shimetëve; këto janë familjet e gershonitëve.

22. Ata që u regjistruan, duke numëruar tërë meshkujt e moshës një muajsh e lart, ishin shtatë mijë e pesëqind.

23. Familjet e gershonitëve duhet të zinin vend prapa tabernakullit, në drejtim të perëndimit.

24. I pari i shtëpisë së etërve të gershonitëve ishte Eliasafi, bir i Laelit.

25. Detyrat e bijve të Gershonit në çadrën e mbledhjes kishin të bënin me tabernakullin, me çadrën dhe mbulesën e saj, me perden e hyrjes në çadrën e mbledhjes,

26. me perdet e oborrit, me perden në hyrjen e oborrit rreth tabernakullit dhe rreth altarit dhe litarët e tij për tërë shërbimin që u takonte.

27. Nga Kehathi rrjedhin familja e amramitëve, familja e Itseharit, familja e hebronitëve dhe familja e Uzielitëve; këto janë familjet e kehathitëve.

28. Duke numëruar tërë meshkujt që ishin në moshë një muajsh e lart, kishte tetë mijë e gjashtëqind vetë, që kujdeseshin për shenjtëroren.

29. Familjet e bijve të Kehathit duhet të zinin vend në krahun jugor të tabernakullit.

30. I pari i shtëpisë së etërve të Kehathit ishte Elitsafani, bir i Uzielit.

31. Detyrat e tyre kishin të bënin me arkën, me tryezën, me shandanin, me altarët dhe me orenditë e shenjtërores me të cilat ata kryenin shërbimin, me velin dhe gjithë punën që lidhet me këto gjëra.

32. Princi i princave të levitëve ishte Eleazari, bir i priftit Aaron; ai mbikëqyrte ata që kujdeseshin për shenjtëroren.

33. Nga Merari rrjedhin familja e mahlitëve dhe familja e mushitëve; këto janë familjet e Merarit.

34. Ata që u regjistruan, duke numëruar tërë meshkujt nga mosha një muajsh e lart, ishin gjashtë mijë e dyqind.

35. Prijësi i shtëpisë së etërve të familjeve të Merarit ishte Tsurieli, bir i Abihailit. Ata duhet të zinin vend në krahun verior të tabernakullit.

36. Detyrat e caktuara për bijtë e Merarit kishin të bënin me dërrasat e tabernakullit, me traversat e tij, me shtyllat dhe bazat e tyre, me tërë veglat e tij dhe tërë punën që ka të bëjë me këto gjëra,

37. me shtyllat e oborrit rreth e qark, me bazat e tyre, me kunjat dhe me litarët e tyre.

38. Përpara tabernakullit, në krahun e tij lindor, përballë çadrës së mbledhjes, nga ana lindjes së diellit, duhet të zinin vend Moisiu, Aaroni dhe bijtë e tij; ata kujdeseshin për shenjtëroren duke plotësuar detyrat e bijve të Izraelit; por çdo i huaj tjetër që do të afrohej, do të dënohej me vdekje.

39. Tërë levitët e regjistruar nga Moisiu dhe Aaroni në bazë të familjeve të tyre sipas urdhrit të Zotit, të gjithë meshkujt që nga mosha një muajsh e lart ishin njëzet mijë.

40. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Bëj regjistrimin e të gjithë të parëlindurve meshkuj ndër bijtë e Izraelit nga mosha një muajsh e lart dhe llogarit edhe emrat e tyre.

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 3