17. Këta janë bijtë e Levit, sipas emrave të tyre: Gershoni, Kehathi dhe Merari.
18. Këta janë emrat e bijve të Gershonit, sipas familjeve të tyre: Libni dhe Shimei;
19. bijtë e Kehathit, sipas familjeve të tyre, ishin Amrami, Itsehari, Hebroni dhe Uzieli;
20. bijtë e Merarit, sipas familjeve të tyre, ishin Mahli dhe Mushi. Këto janë familjet e levitëve, në bazë të shtëpive të etërve të tyre.
21. Nga Gershoni rrjedhin familja e libnitëve dhe familja e Shimetëve; këto janë familjet e gershonitëve.
22. Ata që u regjistruan, duke numëruar tërë meshkujt e moshës një muajsh e lart, ishin shtatë mijë e pesëqind.
23. Familjet e gershonitëve duhet të zinin vend prapa tabernakullit, në drejtim të perëndimit.
24. I pari i shtëpisë së etërve të gershonitëve ishte Eliasafi, bir i Laelit.
25. Detyrat e bijve të Gershonit në çadrën e mbledhjes kishin të bënin me tabernakullin, me çadrën dhe mbulesën e saj, me perden e hyrjes në çadrën e mbledhjes,
26. me perdet e oborrit, me perden në hyrjen e oborrit rreth tabernakullit dhe rreth altarit dhe litarët e tij për tërë shërbimin që u takonte.
27. Nga Kehathi rrjedhin familja e amramitëve, familja e Itseharit, familja e hebronitëve dhe familja e Uzielitëve; këto janë familjet e kehathitëve.
28. Duke numëruar tërë meshkujt që ishin në moshë një muajsh e lart, kishte tetë mijë e gjashtëqind vetë, që kujdeseshin për shenjtëroren.
29. Familjet e bijve të Kehathit duhet të zinin vend në krahun jugor të tabernakullit.
30. I pari i shtëpisë së etërve të Kehathit ishte Elitsafani, bir i Uzielit.
31. Detyrat e tyre kishin të bënin me arkën, me tryezën, me shandanin, me altarët dhe me orenditë e shenjtërores me të cilat ata kryenin shërbimin, me velin dhe gjithë punën që lidhet me këto gjëra.
32. Princi i princave të levitëve ishte Eleazari, bir i priftit Aaron; ai mbikëqyrte ata që kujdeseshin për shenjtëroren.
33. Nga Merari rrjedhin familja e mahlitëve dhe familja e mushitëve; këto janë familjet e Merarit.
34. Ata që u regjistruan, duke numëruar tërë meshkujt nga mosha një muajsh e lart, ishin gjashtë mijë e dyqind.