Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 24:2-14 Bibla Shqip (ALBB)

2. Dhe, me sytë e ngritur, Balaami pa Izraelin që kishte fushuar sipas fiseve, dhe Fryma e Perëndisë e mbuloi atë.

3. Atëherë shqiptoi orakullin e tij dhe tha: "Kështu thotë Balaami, bir i Beorit, kështu thotë njeriu, sytë e të cilit janë hapur,

4. kështu thotë ai që dëgjon fjalët e Perëndisë, ai që kundron vegimin e të Plotfuqishmit, ai që rrëzohet, por syçelë:

5. "Sa të bukura janë çadrat e tua, o Jakob, banesat e tua o Izrael!

6. Ato shtrihen si lugina, si kopshte gjatë një lumi, si aloe që Zoti ka mbjellë, si cedra pranë ujërave.

7. Do të derdhë ujë nga kovat e tij, pasardhësit e tij do të banojnë pranë ujërave të shumta, mbreti i tij do të ngrihet më lart se Agagu dhe mbretëria e tij do të lartësohet.

8. Perëndia, që e nxori nga Egjipti, është për të si brirët e fuqishëm të buallit. Ai do të gëlltisë kombet armike për të, do të copëtojë kockat e tyre dhe do t'i shpojë tej për tej me shigjetat e tij.

9. Ai përkulet, mblidhet kruspull si një luan dhe si një luaneshë; kush do të guxojë ta çojë? Qoftë i bekuar ai që të bekon dhe qoftë i mallkuar ai që të mallkon!"".

10. Atëherë zemërimi i Balakut u ndez kundër Balaamit; kështu ai rrahu duart dhe Balaku i tha Balaamit: "Unë të thirra për të mallkuar armiqtë e mi, kurse ti i bekove tri herë me radhë.

11. Tani ik në shtëpinë tënde! Kisha thënë se do të të mbushja me nderime; por ja, Zoti nuk ka lejuar t'i marrësh".

12. Balaami iu përgjigj kështu Balakut: "A nuk u kisha folur lajmëtarëve që më kishe dërguar, duke u thënë:

13. "Edhe sikur Balaku të më jepte shtëpinë e tij plot me argjend dhe me ar, nuk mund të shkel urdhrat e Zotit për të bërë të mirë ose të keq me nismën time, por duhet të them atë që Zoti do të thotë"?.

14. Dhe ja, tani do të kthehem te populli im; eja, unë do të njoftoj atë që ky popull do t'i bëjë popullit tënd në ditët e fundit".

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 24