Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 22:14-26 Bibla Shqip (ALBB)

14. Pas kësaj princat e Moabit u ngritën, u kthyen te Balaku dhe thanë: "Balaami nuk pranoi të vijë me ne".

15. Atëherë Balaku dërgoi përsëri disa princa, në një numër më të madh dhe më të rëndësishëm në krahasim me të parët.

16. Ata erdhën te Balaami dhe i thanë: "Kështu thotë Balaku, bir i Tsiporit: "Asgjë nuk duhet të të ndalë të vish tek unë,

17. sepse unë do të të mbush me nderime dhe do të bëj të gjitha ato që do të më thuash ti; eja, pra, të lutem, dhe mallkoje këtë popull për mua"".

18. Por Balaami u përgjigj dhe u tha shërbëtorëve të Balakut: "Edhe sikur Balaku të më jepte shtëpinë e tij të mbushur me argjend dhe me ar, nuk mund të shkel urdhrin e Zotit, Perëndisë tim, për të kryer veprime të vogla apo të mëdha.

19. Prandaj, ju lutem, rrini këtu këtë natë, në mënyrë që të mësoj çfarë do të më thotë tjetër Zoti".

20. Dhe Perëndia i shkoi atë natë Balaamit dhe i tha: "Në rast se këta njerëz kanë ardhur të të thërresin, çohu dhe shko me ta; por do të bësh vetëm ato gjëra që unë do të të them".

21. Kështu Balaami u çua në mëngjes, shaloi gomaricën e tij dhe shkoi bashkë me princat e Moabit.

22. Por zemërimi i Perëndisë u ndez sepse ai ishte nisur; dhe Engjëlli i Zotit i doli rrugës si armik kundër tij. Ai i kishte hipur gomaricës së tij dhe kishte me vete dy shërbëtorë.

23. Gomarica pa Engjëllin e Zotit që rrinte në rrugë me shpatën e tij të zhveshur në dorë, doli nga rruga dhe hyri nëpër ara. Atëherë Balaami e rrahu gomaricën për ta kthyer përsëri në rrugë.

24. Por Engjëlli i Zotit u ndal në një shteg të ngushtë midis vreshtave, ku kishte një mur nga një anë dhe një mur nga ana tjetër.

25. Kur gomarica pa Engjëllin e Zotit, u shtrëngua pas murit dhe e shtypi këmbën e Balaamit pas murit; kështu Balaami e rrahu përsëri.

26. Atëherë Engjëlli i Zotit shkoi tutje dhe u ndal në një vend të ngushtë, ku nuk mund të lëvizje as djathtas as majtas.

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 22