Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 21:5-18 Bibla Shqip (ALBB)

5. Populli, pra, foli kundër Perëndisë kundër Moisiut, duke thënë: "Pse na nxorët nga Egjipti që të vdesim në këtë shkretëtirë? Sepse këtu nuk ka as bukë as ujë, na vjen neveri për këtë ushqim të keq".

6. Atëherë Zoti dërgoi midis popullit gjarpërinj flakërues, të cilët kafshonin njerëzit, dhe shumë Izraelitë vdiqën.

7. Dhe kështu populli shkoi te Moisiu dhe i tha: "Kemi mëkatuar, sepse kemi folur kundër Zotit dhe kundër teje; lutju Zotit që të largojë nga ne këta gjarpërinj". Dhe Moisiu u lut për popullin.

8. Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Bëj një gjarpër flakërues dhe vëre mbi një shtizë; kështu çdo njeri që do të kafshohet prej tij dhe do ta shikojë, ka për të jetuar".

9. Moisiu bëri atëherë një gjarpër prej bronzi dhe e vuri mbi një shtizë, dhe ndodhte që, kur një gjarpër kafshonte dikë, në rast se ky shikonte gjarprin prej bronzi, ai vazhdonte të jetonte.

10. Pastaj bijtë e Izraelit u nisën dhe u vendosën në Oboth.

11. Pasi u nisën nga Obothi, u strehuan në Ije-Abarim, në shkretëtirën përballë Moabit, nga ana ku lind dielli.

12. U nisën që këtej dhe u vendosën në luginën e Zeredit.

13. Pastaj u nisën që këtej dhe u vendosën në krahun tjetër të Arnonit, që rrjedh në shkretëtirë dhe vjen nga kufijtë e amorenjve; sepse Arnoni është kufiri i Moabit, midis Moabit dhe amorenjve.

14. Për këtë në Librin e Luftërave të Zotit thuhet: "Vaheb në Sufah, luginat e Arnonit

15. dhe tatëpjeta e luginave që shkon deri në banesat e Arit dhe që mbështetet në kufirin e Moabit".

16. Dhe që këtej shkuan në Beer, që është pusi për të cilin Zoti i pat thënë Moisiut: "Mblidhe popullin dhe unë do t'i jap ujë".

17. Atëherë Izraeli këndoi këtë himn: "Buro o pus! I këndoni atij!

18. Pusit, ujin e të cilit princat e kanë kërkuar dhe fisnikët e popullit e kanë gërmuar, duke u mbështetur në fjalën e ligjvënësve, me bastunët e tyre". Pastaj nga shkretëtira shkuan në Matanah;

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 21