Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 20:9-19 Bibla Shqip (ALBB)

9. Moisiu mori, pra, bastunin që ishte përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti.

10. Kështu Moisiu dhe Aaroni thirrën asamblenë përpara shkëmbit dhe Moisiu u tha atyre: "Tani dëgjoni, o rebelë; a duhet të nxjerrim ujë për ju nga ky shkëmb?".

11. Pastaj Moisiu ngriti dorën, goditi shkëmbin me bastunin e tij dy herë dhe prej tij doli ujë me bollëk; kështu asambleja dhe bagëtia pinë ujë.

12. Atëherë Zoti u tha Moisiut dhe Aaronit: "Me qenë se nuk më besuat për të më mbuluar me lavdi para syve të bijve të Izraelit, ju nuk do ta futni këtë asamble në vendin që unë u dhashë atyre".

13. Këto janë ujërat e Meribës ku bijtë e Izraelit u grindën me Zotin, dhe ky u tregua i Shenjtë në mes tyre.

14. Pastaj Moisiu dërgoi lajmëtarë në Kadesh te mbreti i Edomit për t'i thënë: "Kështu thotë Izraeli, vëllai yt: Ti i njeh të gjitha fatkeqësitë që kemi pësuar,

15. si zbritën etërit tanë në Egjipt dhe ne qëndruam një kohë të gjatë në atë vend, dhe egjiptasit na keqtrajtuan ne dhe etërit tanë.

16. Por, kur i thirrëm Zotit, ai e dëgjoi zërin tonë dhe dërgoi një Engjëll dhe na nxori nga Egjipti; dhe tani jemi në Kadesh, një qytet në afërsi të kufijve tuaj.

17. Po na lejo të kalojmë nëpër vendin tënd; ne nuk do të shkelim as arat as vreshtat tuaja, nuk do të pimë ujin e puseve; do të ndjekim rrugën mbretërore, pa u kthyer as djathtas as majtas, derisa të kalojmë kufijtë e tu".

18. Por Edomi iu përgjigj: "Ti nuk do të kalosh nëpër territorin tim, përndryshe do të të kundërvihem me shpatë".

19. Bijtë e Izraelit i thanë: "Ne do të ngjitemi nga rruga kryesore; dhe në rast se ne dhe bagëtia jonë do të pimë nga uji yt, do të ta paguajmë; na lejo vetëm të kalojmë më këmbë dhe asgjë më tepër".

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 20