Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 16:21-41 Bibla Shqip (ALBB)

21. "Ndahuni nga kjo asamble dhe unë do t'i zhduk në një çast".

22. Por ata ranë përmbys me fytyrën për tokë dhe thanë: "O Perëndi, Perëndia i frymëve të çdo mishi! Sepse një njeri i vetëm ka mëkatuar, a duhet të zemërohesh ti me të gjithë asamblenë?".

23. Atëherë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

24. "Foli asamblesë dhe u thuaj: "Largohuni nga afërsia e banesës së Koreut, të Dathanit dhe të Abiramit"".

25. Pastaj Moisiu u ngrit dhe shkoi te Datani dhe Abirami; atë e ndoqën pleqtë e Izraelit.

26. Pas kësaj i foli asamblesë duke thënë: "Largohuni nga çadrat e këtyre njerëzve të këqij, dhe mos prekni asgjë që u përket atyre që të mos treteni në të gjitha mëkatet e tyre".

27. Kështu ata u larguan nga afërsia e banesës së Koreut, të Datanit dhe të Abiramit. Datani dhe Abirami dolën dhe u ndalën në hyrje të çadrave të tyre bashkë me gratë e tyre, me bijtë e tyre dhe me të vegjlit e tyre.

28. Atëherë Moisiu tha: "Nga kjo do të mësoni që Zoti më ka dërguar për të bërë tërë këto vepra dhe se nuk kam vepruar me kokën time.

29. Në qoftë se këta njerëz vdesin si vdesin gjithë njerëzit, në qoftë se fati i tyre është fati i përbashkët i të gjithë njerëzve, Zoti nuk më ka dërguar;

30. por në qoftë se Zoti bën diçka të re, në qoftë se toka hap gojën e saj dhe gëlltit ata dhe çdo gjë që ata kanë, dhe ata zbresin të gjallë në Sheol, atëherë do të pranoni që këta njerëz kanë përçmuar Zotin.

31. Por ndodhi që, posa mbaroi shqiptimi i këtyre fjalëve, dheu u ça poshtë tyre,

32. toka hapi gojën e saj dhe i gëlltiti me gjithë familjet e tyre, me të gjithë njerëzit që mbanin anën e Koreut, me të gjitha pasuritë e tyre.

33. Kështu zbritën të gjallë në Sheol; toka u mbyll mbi ta dhe ata u zhdukën nga asambleja.

34. Tërë Izraeli që ndodhej rreth tyre, duke dëgjuar britmat e tyre ua mbathi këmbëve, sepse thoshte: "Të mos na gëlltisë toka edhe ne!".

35. Dhe një zjarr doli nga prania e Zotit dhe gëlltiti dyqind e pesëdhjetë veta që ofronin temjanin.

36. Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

37. "I thuaj Eleazarit, birit të priftit Aaron, të nxjerrë jashtë temjanicat nga zjarri, sepse ato janë të shenjta dhe ta hedhë zjarrin larg;

38. dhe nga temjanicat e atyre që kanë kryer mëkate duke vënë në rrezik jetën e tyre, të bëhen aq petëza të rrahura për të veshur altarin, sepse i kanë paraqitur para Zotit dhe për këtë arsye janë të shenjta; dhe do të shërbejnë si një qortim për bijtë e Izraelit".

39. Kështu prifti Eleazar mori temjanicat prej bronzi të paraqitura prej atyre që ishin djegur, dhe bëri petëza për të veshur altarin,

40. me qëllim që t'u shërbenin si kujtim bijve të Izraelit, dhe asnjë i huaj që nuk ishte nga fisi i Aaronit të afrohej për të ofruar temjan para Zotit dhe të mos pësonte fatin e Koreut dhe të njerëzve të tij, ashtu si Zoti i kishte thënë me anë të Moisiut.

41. Të nesërmen gjithë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit, duke thënë: "Ju keni bërë të vdesë populli i Zotit".

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 16