kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28
  29. 29
  30. 30
  31. 31
  32. 32
  33. 33
  34. 34
  35. 35
  36. 36

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

2. "Dërgo njerëz të këqyrin vendin e Kanaanit që unë po u jap bijve të Izraelit. Do të dërgoni një nga çdo fis i etërve të tyre; të gjithë të jenë nga princat e tyre".

3. Kështu Moisiu i nisi nga shkretëtira e Paranit, sipas urdhrit të Zotit; të gjithë këta ishin krerë të bijve të Izraelit.

4. Këta ishin emrat e tyre: Shamua, bir i Zakurit, për fisin e Rubenit;

5. Shafati, bir i Horit, për fisin e Simeonit;

6. Kalebi, bir i Jefunehut, për fisin e Judës;

7. Igali, bir i Jozefit, për fisin e Isakarit;

8. Hoshea, bir i Nunit, për fisin e Efraimit;

9. Palti, bir i Rafut, për fisin e Beniaminit;

10. Gadieli, bir i Sodit, për fisin e Zabulonit;

11. Gadi, bir i Susit, për fisin e Jozefit, domethënë për fisin e Manasit;

12. Amieli, bir i Gemalit, për fisin e Danit;

13. Seturi, bir i Mikaelit, për fisin e Asherit;

14. Nahbi, bir i Vofsit, për fisin e Neftalit;

15. Geueli, bir i Makit, për fisin e Gadit.

16. Këto janë emrat e personave që Moisiu dërgoi për të vëzhguar vendin. Moisiu i vuri Hosheas, birit të Nunit, emrin e Jozueut.

17. Moisiu, pra, i dërgoi për të vëzhguar vendin e Kanaanit dhe u tha atyre: "Ngjituni që këtej në Negev dhe pastaj në krahinën malore,

18. për të parë si është vendi, në qoftë se populli që banon aty është i fortë apo i dobët, i pakët në numër apo i shumtë;

19. si është vendi ku banon, i mirë apo i keq, si janë qytetet në të cilat jeton, a ka kampe ose vende të fortifikuara;

20. dhe si është toka, pjellore apo e varfër, në rast se ka pemë ose jo. Bëhuni trima dhe sillni frytet nga ky vend". Ishte koha kur kishte filluar të piqej rrushi.

21. Ata u ngjitën, pra, dhe vëzhguan vendin e Tsinit deri në Rehob, duke hyrë në të nga ana e Hamathit.

22. U ngjitën përmes Negevit dhe shkuan deri në Hebron, ku ishin Ahimani, Sheshai dhe Talmai, pasardhës të Anakut. (Hebronin e kishin ndërtuar shtatë vjet para Tsoanit në Egjipt).

23. Arritën pastaj deri në luginën e Eshkolit, ku prenë një degë me një vile rrushi, që e mbanin që të dy me një purtekë; dhe morën gjithashtu shegë dhe fiq.

24. Ky vend u quajt lugina e Eshkolit, për shkak të viles së rrushit që bijtë e Izraelit prenë aty.

25. Mbas dyzet ditësh ata u kthyen nga vëzhgimi i vendit,

26. dhe shkuan të takojnë Moisiun, Aaronin dhe tërë asamblenë e bijve të Izraelit në shkretëtirën e Paranit, në Kadesh; para tyre dhe tërë asamblesë paraqitën një raport dhe u treguan pemët e vendit.

27. Kështu para tij raportuan duke thënë: "Ne arritëm në vendin ku na dërgove; aty rrjedh me të vërtetë qumësht dhe mjaltë, dhe këto janë pemët e tij.

28. Por populli që banon në këtë vend është i fortë, qytetet janë të fortifikuara dhe shumë të mëdha; dhe aty pamë edhe pasardhësit e Anakut.

29. Amalekitët banojnë në krahinën e Negevit; hitenjtë, jebusenjtë dhe amorenjtë banojnë përkundrazi në krahinën malore, ndërsa kanaanenjtë banojnë pranë detit dhe gjatë Jordanit".

30. Atëherë Kalebi e qetësoi popullin që murmuriste kundër Moisiut dhe tha: "Le të ngjitemi menjëherë dhe ta pushtojmë vendin, sepse këtë mund ta bëjmë me siguri".

31. Por njerëzit që kishin shkuar me të thanë: "Nuk mund të sulemi kundër këtij populli, sepse është më i fortë se ne".

32. Kështu i paraqitën një informacion të keq për vendin që kishin vëzhguar duke thënë: "Vendi që kemi përshkuar për ta vëzhguar është një vend që i ha banorët e tij; dhe të gjithë njerëzit që kemi parë në të janë njerëz me shtat të lartë.

33. Përveç kësaj aty pamë gjigantë (pasardhësit e Anakut rrjedhin nga gjigantët), përballë të cilëve na dukej se ishim karkaleca, dhe kështu duhet t'u dukeshim atyre".