Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 10:9-25 Bibla Shqip (ALBB)

9. Kur në vendin tuaj do të shkoni në luftë kundër armikut që ju shtyp, do t'i bini alarmit me boritë; kështu do të kujtoheni përpara Zotit Perëndisë tuaj, dhe do të çliroheni nga armiqtë tuaj.

10. Po kështu në ditët tuaja të gëzimit, në festat tuaja të caktuara dhe në fillim të muajve tuaj të parë, do t'u bini borive me rastin e holokausteve dhe të flijimeve tuaja të falënderimit; dhe kështu ato do të bëjnë që të kujtoheni përpara Perëndisë tuaj. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".

11. Por ndodhi që në vitin e dytë, në muajin e dytë, ditën e njëzetë të muajit, reja u ngrit mbi tabernakullin e dëshmisë.

12. Dhe bijtë e Izraelit u nisën për rrugë, duke lënë shkretëtirën e Sinait; pastaj reja u ndal në shkretëtirën e Paranit.

13. Kështu u nisën për rrugë herën e parë sipas urdhrit që Zoti kishte dhënë me anë të Moisiut.

14. I pari lëvizi flamuri i kampit të bijve të Judës, i ndarë sipas formacioneve të tij. Divizionin e Judës e komandonte Nahshoni, bir i Aminadabit.

15. Nethaneeli, bir i Tsuarit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Isakarit,

16. ndërsa Eliabi, bir i Helonit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Zabulonit.

17. Pastaj u çmontua tabernakulli dhe bijtë e Merarit dhe të Gershonit u nisën për rrugë, duke transportuar tabernakullin.

18. Pastaj u vu në lëvizje flamuri i kampit të Rubenit, i ndarë sipas formacioneve të tij. Divizionin e Rubenit e komandonte Elitsuri, bir i Shedeurit.

19. Shelumieli, bir i Tsurishadait, komandonte divizionin e fisit të bijve të Simeonit,

20. ndërsa Eliasafi, bir i Deuelit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Gadit.

21. Pastaj u vunë në lëvizje kehathitët, duke transportuar sendet e shenjta; ata do ta ngrinin tabernakullin para ardhjes së tyre.

22. Pas kësaj u nis flamuri i kampit të bijve të Efraimit, i ndarë sipas formacioneve të tij. Divizionin e Efraimit e komandonte Elishama, bir i Amihudit.

23. Gamalieli, bir i Pedahtsurit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Manasit,

24. ndërsa Abidani, bir i Gideonit, komandonte divizionin e fisit të bijve të Beniaminit.

25. Pastaj filloi të lëvizë flamuri i kampit të bijve të Danit, i ndarë sipas formacioneve të tij, që përbënte praparojën e të gjitha kampeve. Divizioni i Danit komandohej nga Ahiezieri, bir i Amishadait.

Lexoni kapitullin e plotë Numrat 10