kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27
  28. 28
  29. 29
  30. 30
  31. 31
  32. 32
  33. 33
  34. 34
  35. 35
  36. 36

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Numrat 1 Bibla Shqip (ALBB)

1. Zoti i foli akoma Moisiut në shkretëtirën e Sinait, në çadrën e mbledhjes, ditën e parë të muajit të dytë, gjatë vitit të dytë nga dalja e tyre nga vendi i Egjiptit, dhe i tha:

2. "Bëni regjistrimin e gjithë asamblesë së bijve të Izraelit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar një për një emrat e çdo mashkulli.

3. Nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që në Izrael mund të shkojnë në luftë; ti dhe Aaroni do t'i regjistroni, grup pas grupi.

4. Dhe me ju do të jetë një burrë për çdo fis, një që të jetë i pari i shtëpisë së atit të tij.

5. Këta janë emrat e burrave që do të jenë me ju. nga Ruben, Elitsur, bir i Shedeurit;

6. nga Simeoni, Shelumieli, bir i Tsurishadait;

7. nga Juda, Nahshoni, bir i Aminadabit;

8. nga Isakari, Nethaneeli, bir i Tsuarit;

9. nga Zabuloni, Eliabi, bir i Helonit;

10. nga bijtë e Jozefit, për Efraimin, Elishama, bir i Amihudit; për Manasën, Gamalieli, bir i Pedahtsurit;

11. nga Beniamini, Abidani, bir i Gideonit;

12. nga Dani, Ahiezeri, bir i Amishadaidit;

13. nga Asheri, Pagieli, bir i Okranit;

14. nga Gadi, Eliasafi, bir i Deuelit;

15. nga Neftali, Ahira, bir i Enanit".

16. Këta janë ata që u zgjodhën nga asambleja, prijësit e fiseve të etërve të tyre, krerët e divizioneve të Izraelit.

17. Moisiu dhe Aaroni morën, pra, këta burra që ishin caktuar me emër,

18. dhe thirrën tërë asamblenë, ditën e parë të muajit të dytë; ata u treguan fisin e tyre, në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar personat me moshë njëzet vjeç e lart, një për një.

19. Ashtu si Zoti pat urdhëruar Moisiun, ai bëri regjistrimin e tyre në shkretëtirën e Sinait.

20. Nga bijtë e Rubenit, i parëlinduri i Izraelit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar emrat e të gjithë meshkujve, një për një, nga mosha njëzet vjeç e lart, tërë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:

21. ata që u regjistruan nga fisi i Rubenit ishin dyzet e gjashtë mijë e pesëqind.

22. Nga bijtë e Simeonit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, ata që u regjistruan duke numëruar emrat e të gjithë meshkujve, një për një, nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:

23. ata që u regjistruan nga fisi i Simeonit ishin pesëdhjetë e nëntë mijë e treqind.

24. Nga bijtë e Gadit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar emrat e atyre që ishin njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:

25. ata që u regjistruan nga fisi i Gadit ishin dyzet e pesë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë.

26. Nga bijtë e Judës, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat e tyre nga njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:

27. ata që u regjistruan nga fisi i Judës ishin shtatëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind.

28. Nga bijtë e Isakarit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:

29. ata që u regjistruan nga fisi i Isakarit ishin pesëdhjetë e katër mijë e katërqind.

30. Nga bijtë e Zabulonit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre duke i numëruar nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:

31. ata që u regjistruan nga fisi i Zabulonit ishin pesëdhjetë e shtatë mijë e katërqind.

32. Ndër bijtë e Jozefit: nga bijtë e Efraimit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë për të shkuar në luftë:

33. ata që u regjistruan nga fisi i Efraimit ishin dyzet mijë e pesëqind.

34. Nga bijtë e Manasit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:

35. ata që u regjistruan nga fisi i Manasit ishin tridhjetë e dy mijë e dyqind.

36. Nga bijtë e Beniaminit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:

37. ata që u regjistruan nga fisi i Beniaminit ishin tridhjetë e pesë mijë e katërqind.

38. Nga bijtë e Danit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:

39. ata që u regjistruan nga fisi i Danit ishin gjashtëdhjetë e dy mijë e shtatëqind.

40. Nga bijtë e Asherit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:

41. ata që u regjistruan nga fisi i Asherit ishin dyzet e një mijë e pesëqind.

42. Nga bijtë e Neftalit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:

43. ata që u regjistruan nga fisi i Neftalit ishin pesëdhjetë e tre mijë e katërqind.

44. Këta ishin të regjistruarit nga Moisiu dhe Aaroni, së bashku me dymbëdhjetë burrat, prijës të Izraelit, secili përfaqësues i shtëpisë së atit të tij.

45. Kështu tërë bijtë e Izraelit që u regjistruan në bazë të shtëpive të etërve të tyre, nga mosha njëzet vjeç e lart, domethënë tërë njerëzit që në Izrael ishin të aftë të shkonin në luftë,

46. të gjithë ata që u regjistruan ishin gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë.

47. Por levitët nuk u regjistruan bashkë me të tjerët, sipas fisit të etërve të tyre,

48. sepse Zoti i kishte folur Moisiut, duke i thënë:

49. "Vetëm në fisin e Levit nuk do të bësh regjistrimin dhe nuk do të llogaritësh numrin e tyre me bijtë e Izraelit;

50. por besoju levitëve kujdesin për tabernakullin e dëshmisë, për të gjitha orenditë e tij dhe për çdo gjë që i përket. Ata do të mbartin tabernakullin dhe tërë orenditë e tij, do të bëjnë shërbimin dhe do të fushojnë rreth tabernakullit.

51. Kur tabernakulli duhet të zhvendoset, levitët do ta bëjnë pjesë-pjesë; kur tabernakulli duhet të ndalet, ata do ta ngrenë; dhe i huaji që do të afrohet do të dënohet me vdekje.

52. Bijtë e Izraelit do t'i ngrenë çadrat e tyre secili në kampin e vet, secili pranë flamurit të vet, sipas renditjes së tyre.

53. Por levitët do t'i ngrenë çadrat e tyre rreth tabenakullit të dëshmisë me qëllim që mëria ime të mos bjerë mbi asamblenë e bijve të Izraelit; kështu levitët do të kujdesen për tabernakullin e dëshmisë".

54. Bijtë e Izraelit iu binden gjithçkaje që Zoti kishte urdhëruar Moisiun, dhe kështu bënë.