Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Nehemia 13:16-31 Bibla Shqip (ALBB)

16. Përveç kësaj disa njerëz të Tiros, që banonin në Jeruzalem, importonin peshk dhe lloj-lloj mallrash dhe ua shisnin bijve të Judës ditën e shtunë dhe në Jeruzalem.

17. Atëherë qortova parinë e Judës dhe i thashë: "Ç'është kjo e keqe që kryeni duke përdhosur ditën e shtunë?

18. A nuk vepruan njëlloj etërit tonë? A nuk bëri Perëndia ynë të pllakosë mbi ne dhe mbi qytetin tonë tërë kjo fatkeqësi? Por ju po sillni një zemërim më të madh mbi Izraelin, duke përdhosur të shtunën!".

19. Kështu, sapo portat e Jeruzalemit filluan të jenë në terr, para se të fillonte e shtuna, unë urdhërova që portat të ishin mbyllur dhe të mos hapeshin deri pas së shtunës; vendosa madje disa shërbëtorë të mi te portat, me qëllim që asnjë ngarkesë të mos hynte në qytet gjatë ditës së shtunë.

20. Por tregtarët dhe shitësit e çdo lloj malli e kaluan natën jashtë Jeruzalemit një ose dy herë.

21. Atëherë unë i qortova dhe u thashë: "Pse e kaloni natën para mureve? Po ta bëni një herë tjetër, do të veproj kundër jush". Qysh prej atij çasti ata nuk erdhën më ditën e shtunë.

22. Urdhërova gjithashtu levitët që të pastroheshin dhe të vinin të ruanin portat për të shenjtëruar ditën e shtunë. Edhe për këtë më kujto mua, o Perëndia im, dhe ki mëshirë për mua sipas madhësisë së dhembshurisë sate!

23. Në ato ditë pashë gjithashtu disa judenj që ishin martuar me gra të Ashdodit, të Amonit dhe të Moabit,

24. gjysma e bijve të tyre fliste gjuhën e Ashdodit dhe nuk dinte të fliste gjuhën judaike, por fliste vetëm gjuhën e këtij apo atij populli.

25. Atëherë unë i qortova, i mallkova, rraha disa prej tyre, iu shkula flokët; pastaj i vura që te betohen në emër të Perëndisë se nuk do t'ia jepnin bijat e veta bijve të atyre dhe nuk do të merrnin bijat e tyre për bijtë e vet, as për vete.

26. Dhe thashë: "A nuk mëkatoi, vallë, Salomoni, mbret i Izraelit, për këto gjëra? Megjithatë midis kaq kombeve nuk pati një mbret si ai; e donte Perëndia i tij, dhe Perëndia e kishte vendosur mbret mbi tërë Izraelin; por gratë e huaja e bënë edhe atë të mëkatojë.

27. A duhet, pra, të dëgjojmë për ju se kryeni këtë të keqe të madhe, se mëkatoni kundër Perëndisë tonë, duke u martuar me gra të huaja?".

28. Njëri nga bijtë e Joiadas, birit të Elishibit, kryeriftit, ishte dhëndër i Sanbalatit, horonitit; unë e përzura larg vetes.

29. Mbaji mend ata, o Perëndia im, sepse kanë ndotur priftërinë dhe besëlidhjen e priftërisë dhe të levitëve!

30. Kështu unë i pastrova nga çdo person i huaj dhe caktova detyrat e priftërinjve dhe të levitëve, secili në detyrën e vet.

31. Dhashë gjithashtu dispozita lidhur me ofertën e druve në kohë të caktuara dhe lidhur me prodhimet e para. Më kujto, o Perëndia im, për të më bërë të mira!

Lexoni kapitullin e plotë Nehemia 13