Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Nehemia 13:11-23 Bibla Shqip (ALBB)

11. Atëherë qortova gjyqtarët dhe u thashë atyre: "Pse shtëpia e Perëndisë është braktisur?". Pastaj i mblodha dhe i vura përsëri në funksionet e tyre.

12. Tërë Juda solli pastaj në magazinat të dhjetat e grurit, të mushtit dhe të vajit.

13. Mbikëqyrjen e magazinave ia besova priftit Shelemiah, shkruesit Tsadok dhe Pedajahut, një nga levitët; si ndihmës të tyre, zgjodha Hananin, birin e Zakurit, bir i Mataniahut, sepse këta konsideroheshin si njerëz besnikë. Atyre u takonte detyra të bënin ndarjet midis vëllezërve të tyre.

14. Për këtë më kujto mua, o Perëndia im, dhe mos i fshij veprat e mira që kam bërë për shtëpinë e Perëndisë tim dhe për ruajtjen e saj.

15. Në ato ditë vura re në Judë disa që shtrydhnin rrushin ditën e shtunë dhe mbartnin thasë gruri, duke i ngarkuar mbi gomarët, bashkë me verën, rrushin, fiqtë dhe gjithfarë ngarkesash të tjera që sillnin

16. Përveç kësaj disa njerëz të Tiros, që banonin në Jeruzalem, importonin peshk dhe lloj-lloj mallrash dhe ua shisnin bijve të Judës ditën e shtunë dhe në Jeruzalem.

17. Atëherë qortova parinë e Judës dhe i thashë: "Ç'është kjo e keqe që kryeni duke përdhosur ditën e shtunë?

18. A nuk vepruan njëlloj etërit tonë? A nuk bëri Perëndia ynë të pllakosë mbi ne dhe mbi qytetin tonë tërë kjo fatkeqësi? Por ju po sillni një zemërim më të madh mbi Izraelin, duke përdhosur të shtunën!".

19. Kështu, sapo portat e Jeruzalemit filluan të jenë në terr, para se të fillonte e shtuna, unë urdhërova që portat të ishin mbyllur dhe të mos hapeshin deri pas së shtunës; vendosa madje disa shërbëtorë të mi te portat, me qëllim që asnjë ngarkesë të mos hynte në qytet gjatë ditës së shtunë.

20. Por tregtarët dhe shitësit e çdo lloj malli e kaluan natën jashtë Jeruzalemit një ose dy herë.

21. Atëherë unë i qortova dhe u thashë: "Pse e kaloni natën para mureve? Po ta bëni një herë tjetër, do të veproj kundër jush". Qysh prej atij çasti ata nuk erdhën më ditën e shtunë.

22. Urdhërova gjithashtu levitët që të pastroheshin dhe të vinin të ruanin portat për të shenjtëruar ditën e shtunë. Edhe për këtë më kujto mua, o Perëndia im, dhe ki mëshirë për mua sipas madhësisë së dhembshurisë sate!

23. Në ato ditë pashë gjithashtu disa judenj që ishin martuar me gra të Ashdodit, të Amonit dhe të Moabit,

Lexoni kapitullin e plotë Nehemia 13