Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 7:8-23 Bibla Shqip (ALBB)

8. por sepse Zoti ju do dhe ka dashuri të mbajë betimin që u ka bërë etërve tuaj, ai ju nxori me një dorë të fuqishme dhe ju shpëtoi nga shtëpia e skllavërisë, nga dora e Faraonit, mbretit të Egjiptit.

9. Prano, pra, që Zoti, Perëndia yt, është Perëndia, Perëndia besnik që respekton besëlidhjen e tij dhe tregohet i mbarë deri në brezin e njëmijtë ndaj atyre që e duan dhe që zbatojnë urdhërimet e tij,

10. por u përgjigjet menjëherë atyre që e urrejnë, duke i zhdukur; ai nuk vonon, por do t'u përgjigjet menjëherë atyre që e urrejnë.

11. Prandaj respekto urdhërimet, statutet dhe dekretet që po të jap sot, duke i zbatuar në praktikë.

12. Kështu, në rast se ju keni parasysh këto ligje, i respektoni dhe i zbatoni në praktikë, Zoti, Perëndia juaj, do ta mbajë besëlidhjen me ju dhe dashamirësinë për të cilën u është betuar etërve tuaj.

13. Ai do të të dojë, do të të bekojë dhe do të të shumëzojë, do të bekojë frytin e barkut tënd dhe frytin e tokës sate, grurin tënd, mushtin dhe vajin tënd, pjelljet e lopëve dhe të deleve të tua në vendin që u betua t'u japë etërve të tu.

14. Ti do të jesh më i bekuari i të gjithë popujve dhe nuk do të ketë midis teje asnjë burrë apo grua shterpë, as edhe midis bagëtisë sate.

15. Zoti do të largojë nga ti çfarëdo lloj sëmundje, nuk do të dërgojë mbi ty asnjë të keqe vdekjeprurëse të Egjiptit që ke njohur, por do t'i dërgojë mbi të gjithë ata që të urrejnë.

16. Do të shfarosësh, pra, të gjithë popujt që Zoti, Perëndia yt, po të jep në pushtetin tënd; syri yt nuk duhet të ketë mëshirë për ta dhe mos u shërbe perëndive të tyre, sepse ky do të ishte një kurth për ty.

17. Në zemrën tënde mund të thuash: "Këta kombe janë më të mëdhenj se unë, si do të arrij unë t'i dëboj?".

18. Mos ki frikë prej tyre, por kujto atë që Zoti, Perëndia yt, i bëri Faraonit dhe të gjithë egjiptasve;

19. kujto provat e mëdha që pe me sytë e tu, shenjat dhe mrekullitë e dorës së fuqishme dhe të krahut të shtrirë me të cilët Zoti, Perëndia yt, të nxori nga Egjipti; kështu do të veprojë Zoti, Perëndia yt, me të gjithë popujt nga të cilët ke frikë.

20. Përveç kësaj, Zoti, Perëndia yt, do të çojë kundër tyre grerat, derisa ata që kanë mbetur dhe ata që janë fshehur nga frika jote të kenë vdekur.

21. Mos ki frikë prej tyre, sepse Zoti, Perëndia yt, është në mes jush, një Perëndi i madh dhe i tmerrshëm.

22. Zoti, Perëndia yt, do t'i dëbojë pak e nga pak këto kombe para teje; ti nuk do të arrish t'i zhdukësh menjëherë, sepse përndryshe bishat e fushës do të shtoheshin shumë kundër teje;

23. por Zoti, Perëndia yt, do t'i vërë nën pushtetin tënd, dhe do t'i hutojë shumë derisa të shfarosen.

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 7