Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 7:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Kur Zoti, Perëndia yt, do të të fusë në vendin ku ti po hyn për ta zotëruar atë, dhe kur të ketë dëbuar para teje shumë kombe: hitenjtë, girgasenjtë, amorenjtë, kanaanenjtë, perezenjtë, hivenjtë dhe jebusenjtë,

2. dhe kur Zoti, Perëndia yt, t'i ketë lënë në pushtetin tënd, ti do t'i mundësh dhe do të vendosësh shfarosjen e tyre, nuk do të bësh asnjë aleancë me ta dhe nuk do të tregosh asnjë mëshirë ndaj tyre.

3. Nuk do të lidhësh martesë me ta. Nuk do t'u japësh bijat e tua bijve të tyre dhe nuk do të marrësh bijat e tyre për bijtë e tu,

4. sepse do t'i largonin bijtë e tu nga unë për t'u shërbyer perëndive të tjera, dhe zemërimi i Zotit do të ndizej kundër jush dhe do t'ju shkatërronte menjëherë.

5. Por me ta do të silleni kështu: do të shkatërroni altarët e tyre, do të copëtoni kolonat e tyre të shenjta, do të rrëzoni Ashërimet e tyre dhe do t'u vini flakën shëmbëlltyrave të tyre të gdhendura.

6. Me qenë se ti je një popull që je shenjtëruar tek Zoti, Perëndia yt; Zoti, Perëndia yt, të ka zgjedhur për të qenë thesari i tij i veçantë midis tërë popujve që ndodhen mbi faqen e dheut.

7. Zoti nuk e ka vënë dashurinë e tij mbi ju, as nuk ju ka zgjedhur, sepse nuk ishit më të shumtë nga asnjë popull tjetër; ju ishit në fakt më i vogli i të gjithë popujve;

8. por sepse Zoti ju do dhe ka dashuri të mbajë betimin që u ka bërë etërve tuaj, ai ju nxori me një dorë të fuqishme dhe ju shpëtoi nga shtëpia e skllavërisë, nga dora e Faraonit, mbretit të Egjiptit.

9. Prano, pra, që Zoti, Perëndia yt, është Perëndia, Perëndia besnik që respekton besëlidhjen e tij dhe tregohet i mbarë deri në brezin e njëmijtë ndaj atyre që e duan dhe që zbatojnë urdhërimet e tij,

10. por u përgjigjet menjëherë atyre që e urrejnë, duke i zhdukur; ai nuk vonon, por do t'u përgjigjet menjëherë atyre që e urrejnë.

11. Prandaj respekto urdhërimet, statutet dhe dekretet që po të jap sot, duke i zbatuar në praktikë.

12. Kështu, në rast se ju keni parasysh këto ligje, i respektoni dhe i zbatoni në praktikë, Zoti, Perëndia juaj, do ta mbajë besëlidhjen me ju dhe dashamirësinë për të cilën u është betuar etërve tuaj.

13. Ai do të të dojë, do të të bekojë dhe do të të shumëzojë, do të bekojë frytin e barkut tënd dhe frytin e tokës sate, grurin tënd, mushtin dhe vajin tënd, pjelljet e lopëve dhe të deleve të tua në vendin që u betua t'u japë etërve të tu.

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 7