Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 5:9-20 Bibla Shqip (ALBB)

9. Nuk do të biesh përmbys para tyre dhe nuk do t'u shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon paudhësinë e etërve ndaj bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë,

10. por tregohem i dashur ndaj mijëra njerëzish që më duan dhe respektojnë urdhërimet e mia.

11. Nuk do ta përdorësh më kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd, sepse Zoti nuk ka për ta lënë të padënuar atë që përdor emrin e tij kot.

12. Respekto ditën e shtunë për të shenjtëruar, ashtu siç të ka porositur Zoti, Perëndia yt.

13. Do të punosh gjashtë ditë dhe gjatë këtyre ditëve do të bësh çdo punë tënde,

14. por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh gjatë kësaj dite asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori, as shërbëtorja, as kau, as gomari, asnjë nga kafshët e tua, dhe të huajt që ndodhen brenda portave të shtëpisë sate, me qëllim që shërbëtori dhe shërbëtorja jote të çlodhen si ti.

15. Dhe mos harro që ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe që Zoti, Perëndia yt, të nxori që andej me një dorë të fuqishme dhe vepruese; prandaj Zoti, Perëndia yt, të urdhëron të respektosh ditën e shtunë.

16. Do të nderosh atin dhe nënën tënde ashtu si të ka urdhëruar Zoti, Perëndia yt, që të jetosh gjatë dhe të gëzosh begatinë në tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.

17. Nuk do të vrasësh.

18. Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.

19. Nuk do të vjedhësh.

20. Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 5