Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 4:8-22 Bibla Shqip (ALBB)

8. Cili komb i madh ka statute dhe dekrete të drejta si gjithë ky ligj që po ju vë përpara sot?

9. Vetëm kini kujdes për veten tuaj dhe tregohuni të zellshëm për shpirtin tuaj, në mënyrë që të mos harroni gjërat që sytë tuaj kanë parë dhe këto të mos largohen nga zemra juaj për të gjitha ditët e jetës suaj. Por ua mësoni bijve tuaj dhe bijve të bijve tuaj,

10. veçanërisht për ditën gjatë së cilës jeni paraqitur para Zotit, Perëndisë tuaj në Horeb, kur Zoti më tha: "Më mblidh popullin dhe ai të dëgjojë fjalët e mia, që të mësojnë të më kenë frikë gjatë të gjitha ditëve që do të jetojnë mbi tokë dhe t'ua mësojnë bijve të tyre".

11. Atëherë ju u afruat dhe u ndalët në këmbët e malit; dhe mali digjej nga flakët që ngriheshin në mes të qiellit, dhe ishte rrethuar nga terrina, nga re dhe nga një errësirë e dendur.

12. Dhe Zoti ju foli nga mesi i zjarrit; ju dëgjuat tingëllimin e fjalëve, por nuk patë asnjë figurë; dëgjuat vetëm një zë.

13. Kështu ai ju shpalli besëlidhjen e tij, që ju porositi të respektoni, domethënë të dhjetë urdhërimet; dhe i shkroi mbi dy pllaka prej guri.

14. Dhe mua, në atë kohë, Zoti më urdhëroi t'ju mësoj statutet dhe dekretet, që t'i zbatoni në vendin ku jeni duke hyrë për t'u bërë zotër të tij.

15. Me qenë, pra se nuk patë asnjë figurë ditën që Zoti ju foli në Horeb nga mesi i zjarrit, tregoni kujdes të veçantë për shpirtrat tuaja,

16. me qëllim që të mos shthureni dhe të mos gdhendni ndonjë shëmbëlltyrë, në trajtën e ndonjë figure: paraqitjen e një burri apo të një gruaje,

17. paraqitjen e një kafshe që është mbi tokë, paraqitjen e një zogu që fluturon në qiell,

18. paraqitjen e çdo gjëje që zvarritet mbi dhe, paraqitjen e një peshku që noton në ujërat poshtë tokës;

19. sepse duke ngritur sytë në qiell dhe duke parë diellin, hënën, yjet, të tëra, domethënë tërë ushtrinë qiellore, ti të mos nxitesh të biesh përmbys përpara këtyre gjërave dhe t'u shërbesh, gjërave që Zoti, Perëndia yt, u ka dhënë tërë popujve që ndodhen nën të gjithë qiejt;

20. por Zoti ju mori dhe ju nxori nga furra e hekurt, nga Egjipti, për të qenë populli i tij, trashëgimia e tij, ashtu siç jeni sot.

21. Zoti u zemërua me mua për shkakun tuaj, dhe u betua që nuk do ta kaloja Jordanin dhe nuk do të hyja në vendin e mirë që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi.

22. Kështu unë do të vdes në këtë vend pa kaluar Jordanin; ju do ta kaloni dhe do të shtini në dorë atë vend të mirë.

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 4