8. Pastaj për Levin tha: "Thumimët dhe Urimët e tu i përkasin njeriut tënd besimtar, që ti provove në Masa dhe me të cilin je grindur në ujërat e Meribës.
9. Ai thotë për të atin dhe për të ëmën: "Unë nuk i kam parë"; ai nuk i njohu vëllezërit e tij dhe nuk njohu bijtë; sepse levitët kanë respektuar fjalën tënde dhe kanë ruajtur besëlidhjen tënde.
10. Ata u mësojnë dekretet e tua Jakobit dhe ligjin tënd Izraelit; vënë temjanin para teje dhe tërë holokaustin mbi altarin tënd.
11. O Zot, beko forcën e tij dhe prano veprën e duarve të tij. Shpo tej e përtej ata që ngrenë krye kundër atij dhe që e urrejnë, me qëllim që të mos ngrihen më".
12. Për sa i përket Beniaminit, ai tha: "I dashuri i Zotit do të banojë me siguri pranë tij. Zoti do ta mbrojë vazhdimisht dhe do të banojë në krahët e tij".
13. Për sa i përket Jozefit, ai tha: "Vendi i tij qoftë i bekuar nga Zoti me dhurata të çmuara të qiellit, me vesën, me ujërat e humnerës që ndodhet poshtë,
14. me frytet e çmuara të diellit, me prodhimet e çmuara të çdo muaji,
15. me prodhimet më të mira të maleve të lashta, me dhuratat e çmuara të kodrave të përjetshme,
16. me dhuratat e çmuara të tokës dhe të të gjitha gjërave që ajo përmban. Favori i atij që ishte në ferrishte të bjerë mbi kryet e Jozefit, mbi majën e kokës së atij që është zgjedhur ndërmjet vëllezërve të tij!
17. Madhështia e tij është si ajo e demit të tij të parëlindur, brirët e tij janë si brirët e një bualli. Me to do të shpojë tërë popujt, deri në skajet e dheut. Këto janë moritë e Efraimit. Këto janë mijërat e Manasit".
18. Për sa i përket Zabulonit ai tha: "Gëzohu, Zabulon, në daljen tënde dhe ti, Isakar, në çadrat e tua!
19. Ata do të thërrasin popujt në mal dhe aty do të ofrojnë flijime drejtësie; sepse ata do të thithin bollëkun e deteve dhe thesaret e fshehura në rërë".
20. Për sa i përket Gadit, ai tha: "I bekuar qoftë ai që e shtrin Gadin. Ai rri shtrirë si një luaneshë dhe copëton krahë dhe kafkë.
21. Ai shtie në dorë pjesën e parë për veten e tij, sepse aty ishte pjesa e parë e rezervuar e udhëheqësit; ai erdhi me krerët e popullit dhe zbatoi drejtësinë e Zotit dhe dekretet e tij me Izraelin".
22. Për sa i përket Danit, ai tha: "Dani është një luan i vogël, që hidhet nga Bashani".
23. Për sa i përket Neftalit, ai tha: "O Neftali, i ngopur me favore dhe i mbushur me bekime të Zotit, pushto perëndimin dhe jugun".
24. Për sa i përket Asherit, ai tha: "Më i bekuari nga tërë bijtë qoftë Asheri! Le të jetë i preferuari i vëllezërve të tij dhe të zhysë këmbën e tij në vaj.
25. Sandalet e tij të jenë prej hekuri dhe prej bronzi, dhe forca jote të vazhdojë sa janë ditët e tua.