Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 33:4-20 Bibla Shqip (ALBB)

4. Moisiu na ka urdhëruar një ligj, një trashëgimi të asamblesë së Jakobit.

5. Ai ka qenë mbret në Jeshuruni, kur mblidheshin krerët e popullit, tërë fiset e Izraelit tok.

6. Rroftë Rubeni dhe mos vdektë; por njerëzit e tij mbetshin pak".

7. Judës përkundrazi i tha këto: "Dëgjo, o Zot, zërin e Judës dhe ktheje tek populli i tij; dora e tij lufton për çështjen e tij; bëhu ti një ndihmës i tij kundër armiqve të tij.

8. Pastaj për Levin tha: "Thumimët dhe Urimët e tu i përkasin njeriut tënd besimtar, që ti provove në Masa dhe me të cilin je grindur në ujërat e Meribës.

9. Ai thotë për të atin dhe për të ëmën: "Unë nuk i kam parë"; ai nuk i njohu vëllezërit e tij dhe nuk njohu bijtë; sepse levitët kanë respektuar fjalën tënde dhe kanë ruajtur besëlidhjen tënde.

10. Ata u mësojnë dekretet e tua Jakobit dhe ligjin tënd Izraelit; vënë temjanin para teje dhe tërë holokaustin mbi altarin tënd.

11. O Zot, beko forcën e tij dhe prano veprën e duarve të tij. Shpo tej e përtej ata që ngrenë krye kundër atij dhe që e urrejnë, me qëllim që të mos ngrihen më".

12. Për sa i përket Beniaminit, ai tha: "I dashuri i Zotit do të banojë me siguri pranë tij. Zoti do ta mbrojë vazhdimisht dhe do të banojë në krahët e tij".

13. Për sa i përket Jozefit, ai tha: "Vendi i tij qoftë i bekuar nga Zoti me dhurata të çmuara të qiellit, me vesën, me ujërat e humnerës që ndodhet poshtë,

14. me frytet e çmuara të diellit, me prodhimet e çmuara të çdo muaji,

15. me prodhimet më të mira të maleve të lashta, me dhuratat e çmuara të kodrave të përjetshme,

16. me dhuratat e çmuara të tokës dhe të të gjitha gjërave që ajo përmban. Favori i atij që ishte në ferrishte të bjerë mbi kryet e Jozefit, mbi majën e kokës së atij që është zgjedhur ndërmjet vëllezërve të tij!

17. Madhështia e tij është si ajo e demit të tij të parëlindur, brirët e tij janë si brirët e një bualli. Me to do të shpojë tërë popujt, deri në skajet e dheut. Këto janë moritë e Efraimit. Këto janë mijërat e Manasit".

18. Për sa i përket Zabulonit ai tha: "Gëzohu, Zabulon, në daljen tënde dhe ti, Isakar, në çadrat e tua!

19. Ata do të thërrasin popujt në mal dhe aty do të ofrojnë flijime drejtësie; sepse ata do të thithin bollëkun e deteve dhe thesaret e fshehura në rërë".

20. Për sa i përket Gadit, ai tha: "I bekuar qoftë ai që e shtrin Gadin. Ai rri shtrirë si një luaneshë dhe copëton krahë dhe kafkë.

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 33