Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 32:30-42 Bibla Shqip (ALBB)

30. Si do të mundte një person i vetëm të ndiqte një mijë e dyqind veta dhe, dy persona të bënin të iknin dhjetë mijë veta, po të mos i kishte shitur Shkëmbi dhe po të mos i kishte dorëzuar Zoti tek armiku?

31. Sepse shkëmbi i tyre nuk është si Shkëmbi ynë; vetë armiqtë tanë janë gjykatësit e tyre;

32. por hardhia e tyre vjen nga hardhia e Sodomës dhe nga fushat e Gomorës; rrushi i tyre është i helmatisur dhe vilet e rrushit të tyre janë të hidhura;

33. vera e tyre është një helm gjarpërinjsh, një helm mizor gjarpërinjsh helmues.

34. E tërë kjo a nuk është ruajtur vallë pranë meje, e vulosur në thesaret e mia?

35. Mua më përket hakmarrja dhe shpërblimi; do të vijë koha dhe do t'u merren këmbët! Sepse dita e gjëmës së tyre është e afërt, dhe gjërat e përgatitura për ta shpejtohen të vijnë.

36. Po, Zoti do të gjykojë popullin e tij, por do t'i vijë keq për shërbëtorët e tij kur të shohë që fuqia e tyre është zhdukur dhe që nuk mbetet më asnjeri, as skllav as i lirë.

37. Atëherë ai do të thotë: "Ku janë perënditë e tyre, shkëmbi në të cilin gjenin strehë,

38. që hanin yndyrën e flijimeve të tyre dhe pinin verën e libacioneve të tyre? Le të ngrihen për t'i ndihmuar dhe për të qenë strehimi juaj!".

39. Tani e shikoni që unë jam Ai dhe që nuk ka Perëndi tjetër përbri meje. Unë të bëj që të vdesësh dhe të jetosh, unë të plagos dhe të shëroj, dhe nuk ka njeri që mund të të lirojë nga dora ime.

40. Po, unë ngre dorën time në drejtim të qiellit dhe them: Unë jetoj përgjithnjë,

41. kur të mpreh shpatën time dhe dora ime të përgatitet të gjykojë, do të hakmerrem me armiqtë e mi dhe do të shpërblej ata që më urrejnë.

42. Do t'i deh me gjak shigjetat e mia dhe shpata ime do të gëlltisë mishin, bashkë me gjakun e të vrarëve dhe të robërve, të krerëve flokëgjatë të armikut.

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 32