Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 32:13-29 Bibla Shqip (ALBB)

13. Ai e bëri të ngasë me kalë mbi lartësitë e tokës, me qëllim që të hante prodhimin e fushave; e bëri të thithë mjaltin nga shkëmbi dhe vajin nga shkëmbi i strallit,

14. ajkën e lopëve dhe qumështin e deleve me gjithë yndyrën e qengjave, deshtë e Bashanit dhe cjeptë me majën e miellit të grurit; dhe ti ke pirë verën, gjakun e rrushit.

15. Por Jeshuruni u majm dhe kundërshtoi (je bërë i majmë, i trashë dhe i dhjamur); braktisi Perëndinë që e ka bërë dhe përçmoi Shkëmbin e shpëtimit të tij.

16. Ata nxitën smirën e tij me perëndi të huaja, provokuan zemërimin e tij me veprime të neveritshme.

17. U kanë bërë flijime demonëve që nuk janë Perëndi, perëndive që nuk njihnin, perëndive të reja, të shfaqura kohët e fundit, që etërit tuaj nuk ua kishin frikën.

18. Ke lënë pas dore Shkëmbin që të ka pjellë dhe ke harruar Perëndinë që të ka formuar.

19. Por Zoti e pa këtë dhe i hodhi poshtë, për shkak të provokimit të bijve të tij dhe të bijave të tij,

20. dhe tha: "Unë do t'u fsheh atyre fytyrën time dhe do të shoh cili do të jetë fundi i tyre, sepse janë një brez i degjeneruar, bij tek të cilët nuk ka fare besnikëri.

21. Ata më kanë bërë ziliqar me atë që nuk është Perëndi, kanë provokuar zemërimin tim me idhujt e tyre të kotë; dhe unë do t'i bëj ziliqarë me njerëz që nuk janë një popull, do të ngacmoj smirën e tyre me një komb që s'është në vete.

22. Sepse një zjarr është ndezur gjatë zemërimit tim dhe ka për të djegur pjesët më të thella të Sheolit; do të gllabërojë tokën dhe prodhimet e saj dhe do t'u vërë zjarrin themeleve të maleve.

23. Unë do të mbledh mbi ta mjerime, do t'i mbaroj shigjetat e mia kundër tyre.

24. Ata do të veniten nga uria, do të përpihen nga një vapë djegëse dhe nga një murtajë e tmerrshme; do të dërgoj kundër tyre dhëmbët e kafshëve të egra, me helmin e gjarpërinjve që hiqen zvarrë nëpër pluhur.

25. Nga jashtë shpata do t'i privojë nga fëmijët, nga brenda terrori, duke shkaktuar njëkohësisht vdekjen e të riut dhe të virgjëreshës, të foshnjës së gjirit dhe të plakut të thinjur.

26. Unë kam thënë: "Do t'i fshij një herë e mirë, do të zhduk kujtimin e tyre në mes të njerëzve",

27. por i trembem provokimit të armikut, sepse kundërshtarët e tyre, duke interpretuar keq situatën, mund të thonë: "Triumfoi dora jonë dhe jo Zoti i cili ka bërë tërë këto gjëra!".

28. Sepse janë një komb që ka humbur gjykimin dhe nuk ka në ta asnjë zgjuarsi.

29. Po të ishin të urtë do ta kuptonin këtë, do të merrnin parasysh fundin që i pret.

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 32