Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 3:2-14 Bibla Shqip (ALBB)

2. Por Zoti më tha: "Mos ki frikë nga ai, sepse unë do ta jap atë në duart e tua, tërë njerëzit e tij dhe vendin e tij; do t'i bësh atij atë që i bëre Sihonit, mbretit të amorenjve, që banonte në Heshbon".

3. Kështu Zoti, Perëndia ynë, na dha në dorë edhe Ogun, mbretin e Bashanit, me gjithë njerëzit e tij; dhe ne e mundëm atë pa lënë gjallë asnjë.

4. Në atë kohë pushtuam tërë qytetet e tij; nuk pati qytet që nuk ra në dorën tonë: gjashtëdhjetë qytete, tërë krahina e Argobit, mbretëria e Ogut në Bashan.

5. Tërë këto qytete ishin të fortifikuara me mure të larta, porta dhe shufra hekuri, pa llogaritur një numër të madh fshatrash.

6. Ne vendosëm t'i shfarosim, ashtu si kishim vepruar me Sihonin, mbretin e Heshbonit, duke shkatërruar plotësisht tërë qytetet, duke shfarosur burrat, gratë dhe fëmijët.

7. Por mbajtëm si plaçkë tërë bagëtinë dhe plaçkat e qyteteve të tyre.

8. Në atë kohë, pra, morëm nga duart e dy mbretërve të amorenjve vendin që ndodhet matanë Jordanit, nga përroi i Armonit deri në malin e Hermonit,

9. (Hermoni quhet Sirion nga sidonët dhe Senir nga amorenjtë),

10. të gjitha qytetet e fushës, tërë Galaadin, tërë Bashanin deri në Salkah dhe në Edrej, qytete të mbretërisë së Ogut në Bashan.

11. Sepse Ogu, mbret i Bashanit, ishte i vetmi që kishte mbetur gjallë nga fisi i gjigantëve. Ja, shtrati i tij ishte një shtrat prej hekuri (a nuk ndodhet sot ndofta në Rabah të amonitëve?). Ai është i gjatë nëntë kubitë dhe i gjerë katër kubitë, sipas kubitit të njeriut.

12. Në atë kohë ne pushtuam këtë vend; unë u dhashë rubenitëve dhe gaditëve territorin e Aroerit, gjatë përroit Arnon deri në gjysmën e krahinës malore të Galaadit së bashku me qytetet e tij;

13. dhe i dhashë gjysmës së fisit të Manasit mbetjen e Galaadit dhe tërë Bashanin, mbretërinë e Ogut (tërë krahinën e Argobit me gjithë Bashanin, që quhej vendi i gjigantëve.

14. Jairi, bir i Manasit, mori tërë krahinën e Argobit, deri në kufijtë e geshuritëve dhe të maakathitëve; dhe u vuri emrin e tij lagjeve të Bashanit, që edhe sot quhen qytetet e Jairit).

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 3