Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 28:27-42 Bibla Shqip (ALBB)

27. Zoti do të të godasë me ulcerën e Egjiptit, me hemorroidet, me zgjeben dhe me qerren, sëmundje nga të cilat nuk do të mund të shërohesh.

28. Zoti do të të godasë me marrëzinë, me verbërinë dhe me shushatjen e zemrës;

29. dhe do të ecësh me tahmin në mes të ditës, ashtu si ecën i verbëri në errësirë; nuk do të kesh mbarësi në rrugët e tua, por do të jesh vetëm i shtypur dhe i zhveshur vazhdimisht pa pasur ndihmën e askujt.

30. Do të fejohesh me një femër, por një burrë tjetër do të bjerë në shtrat me të; do të ndërtosh një shtëpi, por nuk do të banosh në të; do të mbjellësh një vresht, por nuk do të mbledhësh rrushin e tij.

31. Kau yt do të vritet para syve të tu, por ti nuk do të hash mishin e tij; gomarin tënd do të ta marrin në praninë tënde dhe nuk do të ta kthejnë; delet e tua do t'ua japin armiqve të tu dhe askush nuk do të të ndihmojë.

32. Bijtë e tu dhe bijat e tua do t'i jepen një populli tjetër; sytë e tu do të shikojnë dhe do të përgjërohen tërë ditën nga dëshira për t'i parë, dhe dora jote do të jetë pa fuqi.

33. Një popull që ti nuk e ke njohur, do të hajë frytin e tokës sate dhe të gjithë mundit tënd, dhe pa tjetër do të jesh i shtypur dhe i dërmuar vazhdimisht.

34. Do të çmendesh para pamjes që do të shohin sytë e tu.

35. Zoti do të të godasë në gjunjët dhe në kofshët me një ulcerë të keqe, nga e cila nuk do të mund të shërohesh, nga tabani i këmbëve deri në majë të kokës.

36. Zoti do të të çojë ty dhe mbretin tënd, që e ke vënë mbi ty, në një komb që as ti, as etërit e tu, nuk e keni njohur; dhe atje do t'u shërbeni perëndive të tjera prej druri dhe prej guri;

37. dhe do të bëhesh objekt habie, proverbi dhe talljeje në mes tërë popujve pranë të cilëve do të të çojë Zoti.

38. Do të çosh shumë farë në arë por do të korrësh pak, sepse karkaleci do ta gllabërojë.

39. Do të mbjellësh vreshta, do t'i punosh, por nuk do të pish verë as do të mbledhësh rrush, sepse krimbi do t'i hajë.

40. Do të kesh ullinj në të gjithë territorin tënd, por nuk do të lyesh me vaj, sepse ullinjtë e tu do të bien.

41. Do të të lindin bij dhe bija, por nuk do të jenë të tutë, sepse do të shkojnë në skllavëri.

42. Tërë pemët e tua dhe frytet e tokës sate do të jenë pre nga karkalecit.

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 28