Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 28:12-21 Bibla Shqip (ALBB)

12. Zoti do të hapë për ty qiellin, thesarin e tij të mirë, për t'i dhënë tokës sate shiun në kohën e duhur dhe për të bekuar veprën e duarve të tua; ti do t'u japësh hua shumë kombeve, por nuk do të marrësh asgjë hua.

13. Zoti do të bëjë që të jesh koka dhe jo bishti, dhe do të jesh gjithnjë lart dhe kurrë poshtë, në rast se u bindesh urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tënd, që sot të urdhëron t'i respektosh dhe t'i zbatosh në praktikë.

14. Kështu nuk do të shmangesh as djathtas, as majtas nga asnjë prej fjalëve që sot ju urdhëroj, për të shkuar pas perëndive të tjera dhe për t'u shërbyer atyre.

15. Por në rast se nuk i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, për të respektuar me kujdes të gjitha urdhërimet dhe të gjitha statutet e tij që sot të urdhëroj, do të ndodhë që të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty dhe do të të gjejnë.

16. Do të jesh i mallkuar në qytet dhe do të jesh i mallkuar në fshat.

17. Të mallkuara do të jenë shporta jote dhe magjja jote.

18. I mallkuar do të jetë fryti i barkut tënd, fryti i tokës sate, pjelljet e lopëve të tua dhe fryti i deleve të tua.

19. Do të jesh i mallkuar kur hyn dhe i mallkuar kur del.

20. Zoti do të dërgojë kundër teje mallkimin, rrëmujën dhe mosmiratimin për çdo gjë mbi të cilën do të vësh dorë dhe që do të bësh, derisa ti të shkatërrohesh dhe të vdesësh shpejt, për shkak të ligësisë së veprimeve të tua në të cilat më ke braktisur.

21. Zoti do të bëjë që të të zërë murtaja, derisa të konsumohesh prej saj në vendin ku je duke hyrë për ta pushtuar.

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 28