Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 28:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Tani, në rast se ti i bindesh me zell zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke pasur kujdes të zbatosh tërë urdhërimet e tij që sot unë po të urdhëroj, do të ndodhë që Zoti, Perëndia yt, do të të lartësojë mbi të gjitha kombet e dheut;

2. të gjitha këto bekime do të bien mbi ty dhe do të të zënë, në rast se dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd:

3. Do të jesh i bekuar në qytete dhe në fshatra.

4. I bekuar do të jetë edhe fryti i barkut tënd, fryti i tokës dhe i bagëtisë sate, pjelljet e lopëve të tua dhe fryti i deleve të tua.

5. Të bekuara do të jenë shporta dhe magjja jote.

6. Do të jesh i bekuar kur hyn dhe i bekuar kur del.

7. Zoti do të veprojë në mënyrë që armiqtë e tu, që ngrihen kundër teje, të munden para teje; do të dalin kundër teje nëpër një rrugë, por do të ikin para teje nëpër shtatë rrugë.

8. Dhe Zoti do ta urdhërojë bekimin të ndodhet mbi ty në hambarët e tu dhe mbi të gjitha ato gjëra ku ti do të vësh dorë; dhe do të të bekojë në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep.

9. Zoti do të të vendosë në mënyrë që të jesh për të një popull i shenjtë, ashtu si të është betuar, në qoftë se do të respektosh urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të ecësh në rrugët e tij;

10. kështu tërë popujt e dheut do të shohin që ti je i thirrur me emrin e Zotit, dhe do të kenë frikë prej teje.

11. Zoti, Perëndia yt, do të të mbushë me të mira, me frytin e barkut tënd, me frytin e bagëtisë sate dhe me frytin e tokës sate në vendin që Zoti u betua t'u japë etërve të tu.

12. Zoti do të hapë për ty qiellin, thesarin e tij të mirë, për t'i dhënë tokës sate shiun në kohën e duhur dhe për të bekuar veprën e duarve të tua; ti do t'u japësh hua shumë kombeve, por nuk do të marrësh asgjë hua.

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 28