Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 27:6-18 Bibla Shqip (ALBB)

6. Do të ndërtosh altarin e Zotit, Perëndisë tënd, me gurë të pacenuar, dhe mbi të do t'i ofrosh holokauste Zotit, Perëndisë tënd.

7. Do të ofrosh flijime falënderimi, dhe aty do të hash dhe do të gëzohesh përpara Zotit, Perëndisë tënd.

8. Dhe do të shkruash mbi këta gurë tërë fjalët e këtij ligji me germa shumë të qarta".

9. Pastaj Moisiu dhe priftërinjtë levitë i folën tërë Izraelit, duke thënë: "Mbaj qetësi dhe dëgjo, o Izrael! Sot je bërë populli i Zotit, Perëndisë tënd.

10. Do t'i bindesh, pra, zërit të Zotit, Perëndisë tënd, dhe do t'i zbatosh në praktikë urdhërimet dhe ligjet që sot të urdhëroj".

11. Po atë ditë Moisiu i dha këtë urdhër popullit, duke i thënë:

12. "Ja ata do të rrinë në malin Gerizim për të bekuar popullin kur të keni kapërcyer Jordanin: Simeoni, Levi, Juda, Isakari, Jozefi dhe Beniamini;

13. dhe ja ata që do të rrinë në malin Ebal për të shqiptuar mallkimin: Rubeni, Gadi, Asheri, Zabuloni, Dani dhe Neftali.

14. Levitët do të flasin dhe do t'u thonë me zë të lartë gjithë burrave të Izraelit:

15. "Mallkuar qoftë ai njeri që bën një shëmbëlltyrë të gdhendur o prej metali të shkrirë, gjë e neveritshme për Zotin, vepër e duarve të një artizani, dhe e vendos në një vend sekret!". Dhe tërë populli do të përgjigjet dhe do të thotë: "Amen".

16. "Mallkuar qoftë ai që përçmon atin ose nënën e tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".

17. "Mallkuar qoftë ai që zhvendos kufijtë e të afërmit të tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".

18. "Mallkuar qoftë ai që i humb rrugën të verbrit!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen".

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 27