Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 26:10-19 Bibla Shqip (ALBB)

10. Dhe ja tani unë solla prodhimet e para të tokës që ti, o Zot, më ke dhënë!". Do t'i vendosësh para Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të biesh përmbys përpara Zotit, Perëndisë tënd;

11. dhe do të gëzoheni, ti, leviti dhe i huaji që ndodhet në radhët e tua për të mirat që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë ty dhe shtëpisë sate.

12. Kur të kesh mbaruar së dhëni tërë të dhjetat e të ardhurave të tua në vitin e tretë, viti i të dhjetave, dhe ua ke dhënë levitit, të huajit, jetimit dhe gruas së ve, me qëllim që t'i hanë brenda portave të tua dhe të ngopen,

13. do të thuash përpara Zotit, Perëndisë tënd: "Unë kam hequr nga shtëpia ime atë që është shenjtëruar dhe ua kam dhënë levitit, të huajit, jetimit dhe gruas së ve, në bazë të të gjitha gjërave që më ke urdhëruar; nuk kam shkelur as kam harruar asnjë nga urdhrat e tua.

14. Nuk i hëngra gjatë zisë sime, nuk mora prej tyre kur isha i papastër dhe nuk ua ofrova të vdekurve; iu binda zërit të Zotit, Perëndisë tim, dhe veprova në bazë të të gjitha gjërave që më ke urdhëruar.

15. Kthe ndaj nesh vështrimin tënd nga banesa jote e shenjtë, nga qielli, dhe beko popullin tënd të Izraelit dhe vendin që na ke dhënë, siç iu betove etërve tanë, një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë.

16. Sot Zoti, Perëndia yt, të urdhëron të zbatosh në praktikë këto statute dhe dekrete; ki kujdes që t'i zbatosh me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.

17. Ti sot deklarove që Zoti është Perëndia yt, që do të ecësh në rrugët e tij dhe do të respektosh statutet, urdhërimet dhe dekretet e tij, dhe do t'i bindesh zërit të tij.

18. Sot Zoti ka deklaruar gjithashtu që ti je popull i tij, një thesar i veçantë, siç të ka thënë, me qëllim që ti të respektosh të gjitha urdhërimet e tij,

19. dhe ti të mund të lartësohesh mbi të gjitha kombet që ai ka bërë për lavdi, famë dhe zulmë dhe që ti të jesh një popull i shenjtëruar për Zotin, Perëndinë tënd, ashtu siç e ka thënë ai".

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 26