Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 24:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Kur një njeri merr një grua dhe martohet me të, dhe më vonë ndodh që ajo nuk e kënaq më, sepse ai ka gjetur në të diçka të turpshme, le të shkruajë një shkresë ndarjeje, t'ia japë në dorë dhe ta dëbojë nga shtëpia e saj;

2. në qoftë se ajo del nga shtëpia e saj dhe bëhet bashkëshorte e një burri tjetër,

3. në rast se bashkëshorti i fundit fillon ta urrejë, ai shkruan për të një shkresë ndarjeje, ia jep në dorë dhe e dëbon nga shtëpia e tij, ose në se bashkëshorti i fundit që e kishte marrë për grua vdes,

4. burri i parë që e kishte dëbuar nuk do të mund ta marrë përsëri për grua, pasi ajo është ndotur, sepse kemi të bëjmë me një akt të neveritshëm në sytë e Zotit; dhe ti nuk do ta njollosësh me mëkat vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi.

5. Në qoftë se një njeri është i porsamartuar, ai nuk do të shkojë në luftë dhe nuk do t'i ngarkohen detyra; ai do të jetë i lirë në shtëpinë e tij për një vit dhe do të bëjë të lumtur gruan me të cilën është martuar.

6. Asnjeri nuk do të marrë peng gurin e mokrës së poshtme apo atë të sipërme, sepse do të ishte njëlloj sikur të merrte peng jetën e dikujt.

7. Në rast se kapet një njeri duke rrëmbyer një nga vëllezërit e tij ndër bijtë e Izraelit, dhe e trajton keq dhe e shet, ai rrëmbyes do të vritet; kështu do ta shkulësh të keqen nga gjiri yt.

8. Në raste lebre trego kujdes të madh dhe bëj gjithçka t'ju mësojnë priftërinjtë levitë; do të keni kujdes të veproni ashtu siç i kam urdhëruar.

9. Mbaj mend atë që Zoti, Perëndia yt, i bëri Miriamit gjatë udhëtimit, mbas daljes suaj nga Egjipti.

10. Kur i jep hua diçka të afërmit tënd nuk do të hysh në shtëpinë e tij për të marrë pengun e tij;

11. do të rrish jashtë saj, dhe njeriu të cilit i ke dhënë hua do të ta sjellë jashtë pengun.

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 24