Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 2:24-32 Bibla Shqip (ALBB)

24. "Çohuni, vihuni në marshim dhe kaloni përroin Arnon; ja, unë po e kaloj nën pushtetin tënd Sihonin, amoreun, mbretin e Heshbonit, dhe vendin e tij; fillo ta shtiesh atë në dorë dhe shpalli luftë.

25. Sot do të filloj t'u kall frikën dhe terrorin tënd popujve nën tërë qiejt, të cilët do të dëgjojnë të flitet për ty, do të dridhen dhe do t'i zërë ankthi nga shkaku yt.

26. Atëherë nga shkretëtira e Kedemothit i dërgova lajmëtarë Sihonit, mbretit të Heshbonit, me propozime paqësore, për t'i thënë:

27. Lërmë të kaloj nëpër vendin tënd; unë do të shkoj nëpër rrugën Mbretërore, pa u kthyer as djathtas as majtas.

28. Ti do të më shesësh me para ushqimet që do të ha dhe do të më japësh me para ujin që do të pi; më lejo vetëm të kaloj me këmbë

29. (ashtu si kanë bërë për mua pasardhësit e Esaut që banojnë në Seir dhe moabitët që banojnë në Ar), derisa unë të kem kaluar Jordanin për të hyrë në vendin që Zoti, Perëndia ynë, na dha".

30. Por Sihoni, mbret i Heshbonit, nuk deshi të na linte të kalonim nëpër territorin e tij, sepse Zoti, Perëndia yt, i kishte ngurtësuar frymën dhe e kishte bërë kryeneç, për të ta dhënë në duart e tua, siç është pikërisht sot.

31. Dhe Zoti më tha: "Shiko, kam filluar të kaloj nën pushtetin tënd Sihonin dhe vendin e tij; fillo ta pushtosh, që ti të bëhesh zotëruesi i vendit të tij".

32. Atëherë Sihoni doli kundër nesh me gjithë njerëzit e tij, për t'u ndeshur në Jahats.

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 2