Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 19:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Kur Zoti, Perëndia yt, të ketë shfarosur kombet e vendeve që të jep dhe ti t'i kesh dëbuar dhe të banosh në qytetet dhe shtëpitë e tyre,

2. do të veçosh tri qytete, në mes të vendit, që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi.

3. Do të përgatisësh rrugë dhe do ta ndash në tri pjesë vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, me qëllim që çdo vrasës të mund të strehohet në të.

4. Dhe ky është rregulli për vrasësin që strehohet aty, që të shpëtojë jetën e tij: kushdo që ka vrarë të afërmin e tij pa dashje, pa e urryer më parë.

5. Kështu, kur dikush shkon me shokun e tij në pyll për të prerë dru dhe, ndërsa i bie një druri me sëpatë, sëpata del nga bishti dhe godet shokun që pastaj vdes, ai person do të strehohet në një nga këto qytete dhe do ta shpëtojë jetën;

6. sepse hakmarrësi i gjakut, ndërsa zemërimi i vlon në zemër, të mos e ndjekë vrasësin dhe ta arrijë, kur rruga është shumë e gjatë, dhe ta vrasë edhe pse nuk e meriton vdekjen, sepse në të kaluarën nuk e kishte urryer shokun e tij.

7. Prandaj të urdhëroj në këtë mënyrë: "Veço tri qytete".

8. Në rast se më pas Zoti, Perëndia yt, zgjeron kufijtë e tu, ashtu si u është betuar etërve të tu dhe ta jep tërë vendin që u kishte premtuar t'ua jepte etërve të tu,

9. në rast se ti respekton këto urdhra që unë të jap sot, duke e dashur Zotin, Perëndinë tënd, dhe duke ecur gjithnjë në rrugët e tij, atëherë do t'u shtosh tri qytete të tjera tri të parave,

10. me qëllim që të mos derdhet gjak i pafajshëm në mes të vendit që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi dhe ti të mos bëhesh fajtor për vrasje.

11. Por në rast se një njeri urren të afërmin e tij, i zë pritë, e sulmon dhe e plagos për vdekje, dhe pastaj strehohet në një nga këto qytete,

12. pleqtë e qytetit të tij do të dërgojnë ta marrin që andej dhe do t'ia dorëzojnë hakmarrësit të gjakut që të vritet.

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 19