Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 17:12-20 Bibla Shqip (ALBB)

12. Por njeriu që do të veprojë me mendjemadhësi dhe nuk do ta dëgjojë priftin që ndodhet aty për t'i shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, ose gjykatësit, ky njeri ka për të vdekur; kështu do të shkulësh të keqen nga Izraeli;

13. tërë populli do të mësojë kësisoj atë që ndodhi, do të ketë frikë dhe nuk do të veprojë me mendjemadhësi.

14. Kur do të hysh në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep dhe do ta shtiesh në dorë dhe do të banosh atje, në rast se do të thuash: "Dua të caktoj mbi mua një mbret ashtu si tërë kombet që më rrethojnë",

15. do të caktosh mbi ty mbretin që Zoti, Perëndia yt, ka për të zgjedhur. Do të caktosh mbi ty një mbret të zgjedhur midis vëllezërve të tu; nuk mund të caktosh mbi ty një të huaj që të mos jetë vëllai yt.

16. Por ai nuk duhet të ketë një numër të madh kuajsh, as ta kthejë popullin në Egjipt për të shtënë në dorë një numër të madh kuajsh, sepse Zoti ju ka thënë: "Nuk do të ktheheni më në atë rrugë".

17. Nuk duhet të ketë një numër të madh grash, me qëllim që zemra e tij të mos shthuret; dhe nuk duhet të grumbullojë për vete një sasi të madhe argjendi dhe ari.

18. Përveç kësaj, kur të ulet mbi fronin e mbretërisë së tij, do të shkruajë për veten e tij në një libër një kopje të këtij ligji, sipas kopjes së priftërinjve levitë.

19. Do ta mbajë pranë vetes këtë libër dhe do ta lexojë çdo ditë të jetës së tij, që të mësojë të ketë frikë nga Zoti, Perëndia i tij, dhe të zbatojë në praktikë të gjitha fjalët e këtij ligji dhe të këtyre statuteve,

20. me qëllim që zemra e tij të mos ngrihet mbi vëllezërit e tij dhe të mos shmanget nga ky urdhërim as djathtas, as majtas, dhe të zgjasë kështu ditët e mbretërimit të tij, ai vetë dhe bijtë e tij, në mes të Izraelit".

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 17