Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Ligji i Përtërirë 15:9-18 Bibla Shqip (ALBB)

9. Ki kujdes që të mos ketë asnjë mendim të keq në zemrën tënde, i cili të të bëjë të thuash: "Viti i shtatë, viti i familjes, është afër", dhe ta shikosh me sy të keq vëllanë tënd nevojtar dhe të mos i japësh asgjë; ai do të bërtiste kundër teje para Zotit dhe ti do të mëkatoje.

10. Jepi me bujari dhe zemra jote të mos trishtohet kur i jep, sepse pikërisht për këtë Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në çdo punë tënden dhe në çdo gjë që do të të zërë dora.

11. Sepse nevojtarët nuk do të mungojnë kurrë në vend, prandaj unë po të jap këtë urdhërim dhe të them: "Hapja me bujari dorën tënde vëllait tënd, të varfrit tënd dhe nevojtarit në vendin tuaj".

12. Në rast se një vëlla apo një motër hebre shitet te ti, do të të shërbejë gjashtë vjet; por vitin e shtatë do ta lësh të ikë i lirë.

13. Dhe kur do ta lësh të ikë i lirë, nuk do ta lësh të shkojë duarbosh;

14. do t'i japësh bujarisht dhurata nga kopeja jote, nga lëmi dhe nga hambari yt; do ta bësh pjesëtar të bekimeve me të cilat Zoti, Perëndia yt, të ka mbushur;

15. dhe nuk do të harrosh se ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe se Zoti, Perëndia yt, të ka liruar; prandaj sot të urdhëroj këtë.

16. Por në rast se ai të thotë: "Nuk dua të largohem prej teje", sepse të do ty dhe shtëpinë tënde, sepse ka mbarësi bashkë me ty,

17. atëherë do të marrësh një fëndyell, do t'i shposh veshin kundër portës dhe ai do të jetë skllavi yt përgjithnjë. Po ashtu do të veprosh me skllaven tënde.

18. Nuk duhet të të duket e vështirë ta nisësh të lirë, sepse të ka shërbyer gjashtë vjet me gjysmën e pagës së një argati; dhe Zoti, Perëndia yt, do të bekojë të gjitha veprimet e tua.

Lexoni kapitullin e plotë Ligji i Përtërirë 15