11. Atëherë Zoti më tha: "Çohu, nis rrugën në krye të popullit, që ata të futen e të pushtojnë vendin që jam betuar t'u jap etërve të tyre".
12. Dhe tani, o Izrael, çfarë kërkon nga ti Zoti, Perëndia yt? Të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, të ecësh në tërë rrugët e tij, ta duash dhe t'i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt,
13. dhe të respektosh për të mirën tënde të gjitha urdhërimet dhe statutet e Zotit që sot të urdhëroj.
14. Ja, Zotit, Perëndisë tënd, i përkasin qiejt, qiejt e qiejve, toka dhe gjithçka ajo përmban;
15. por Zoti u fali dashurinë e tij vetëm etërve të tu dhe i deshi ata; dhe mbas tyre midis tërë popujve zgjodhi pasardhësit e tyre, domethënë ju, ashtu siç po ndodh sot.
16. Prandaj do të rrethpritni lafshën e zemrës suaj dhe nuk do ta fortësoni më qafën tuaj;
17. sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndia i perëndive, Zoti i zotërve, Perëndia i madh, i fortë dhe i tmerrshëm që nuk është i anshëm dhe nuk pranon dhurata,
18. që u siguron drejtësi jetimëve dhe të vejave, që e do të huajin dhe i jep bukë dhe veshje.
19. Duajeni, pra, të huajin, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit.
20. Do të kesh frikë nga Zoti, Perëndia yt, do t'i shërbesh atij, do të jesh lidhur ngushtë me të dhe do të betohesh me emrin e tij.
21. Ai është lavdia jote, ai është Perëndia yt, që ka bërë për ty ato gjëra të mëdha dhe të tmerrshme që sytë e tua i kanë parë.