14. Pastaj afroi demin e vogël të flijimit për mëkatin dhe Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart e tyre mbi kokën e demit të vogël të flijimit për mëkatin.
15. Pastaj Moisiu e theri, mori gjak prej tij, e vuri me gisht mbi brirët e altarit rreth e qark dhe e pastroi altarin; pastaj derdhi gjakun në bazën e altarit dhe e shenjtëroi për të bërë mbi të shlyerjen.
16. Pastaj mblodhi gjithë dhjamin që ishte mbi zorrët, bulën e majme të mëlçisë dhe të dy veshkat me dhjamin e tyre, dhe Moisiu i tymosi mbi altar.
17. Por demin e vogël, lëkurën e tij, mishin dhe fëlliqësirat e tij i dogji me zjarr jashtë kampit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
18. Pastaj paraqiti dashin e holokaustit dhe Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart e tyre mbi kokën e dashit.
19. Moisiu e theri dhe spërkati gjakun rreth e qark altarit.
20. Pastaj e preu dashin në copa dhe Moisiu tymosi kokën, copat dhe dhjamin.
21. Pasi i lau zorrët dhe këmbët me ujë, Moisiu e tymosi tërë dashin mbi altar. Ishte një holokaust me një erë të këndshme, një flijim i bërë me zjarr për Zotin, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
22. Pastaj paraqiti dashin e dytë, dashin e shenjtërimit, dhe Aaroni dhe bijtë e tij vunë duart e tyre mbi kokën e dashit.
23. Pastaj, pra, e theri, mori pak nga gjaku i tij dhe e vuri në skajin e veshit të djathtë të Aaronit dhe mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë.
24. Pastaj Moisiu i afroi bijtë e Aaronit dhe vuri pak gjak në skajin e veshit të tyre të djathtë, mbi gishtin e madh të dorës së tyre të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tyre të djathtë; dhe Moisiu spërkati mbetjen e gjakut rreth e qark mbi altar.
25. Pastaj mori dhjamin, bishtin e majmë, tërë dhjamin që ishte mbi zorrët, bulën e majme të mëlçisë, të dy veshkat dhe dhjamin e tyre, dhe kofshën e djathtë;
26. dhe nga shporta e bukëve të ndorme, që ndodhej para Zotit mori një kulaç pa maja, një kulaç buke me vaj dhe një revani, dhe i vuri mbi dhjamin dhe mbi kofshën e djathtë.