Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 7:7-14 Bibla Shqip (ALBB)

7. Flijimi për shkeljen është si flijimi i mëkatit; i njëjti ligj vlen për të dy rastet; flia me të cilën prifti bën shlyerjen i takon atij.

8. Dhe prifti, që ofron holokaustin e dikujt, do të marrë për vete lëkurën e holokaustit që ka ofruar.

9. Kështu çdo blatim i ushqimit i pjekur në furrë, apo i përgatitur në tigan ose mbi skarë, do të jetë i priftit që e ka ofruar.

10. Dhe çdo blatim i ushqimit i përzier me vaj ose i thatë i përket tërë bijve të Aaronit, si për njërin si për tjetrin.

11. Ky është ligji i flijimit të falënderimit, që do t'i çohet Zotit.

12. Në qoftë se dikush e ofron për dhënie hiri, do të ofrojë me flijimin e dhënies së hirit kulaç pa maja të përzier me vaj, revani pa maja të përzier me vaj dhe kulaç me majë mielli të përzier me vaj.

13. Bashkë me kuleçtë e bukës pa maja, si ofertë të tij do të paraqesë, me flijimin e dhënies së hirit, flijimin e tij të falënderimit.

14. Nga çdo ofertë ai do të ofrojë një kulaç si një blatim të lartë për Zotin; ai do të jetë i priftit që ka spërkatur gjakun e flijimit të falënderimit.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 7