Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 5:9-19 Bibla Shqip (ALBB)

9. pastaj do të spërkasë pak gjak të flijimit për mëkatin mbi faqen e altarit, dhe mbetja e gjakut do të derdhet në bazën e altarit. Ky është një flijim për mëkatin.

10. Me zogun tjetër do të bëjë një holokaust, sipas normave të caktuara. Kështu prifti do të bëjë për atë person shlyerjen e mëkatit që ka kryer, dhe ai do t'i falet.

11. Por në rast se i mungojnë mjetet për të siguruar dy turtuj ose dy pëllumba të rinj, atëherë kush ka mëkatuar do të sjellë si ofertë të dhjetën pjesë të një efe në majë mielli, si flijim për mëkatin; nuk do të vërë mbi të as vaj as temjan, sepse është një flijim për mëkatin.

12. Do ta çojë miellin te prifti dhe ky do të marrë një grusht prej tij si kujtim, dhe do ta tymosë mbi altarin sipër flijimeve të bëra me zjarr për Zotin. Është një flijim për mëkatin.

13. Kështu prifti do të shlyejë për të mëkatin që ai ka kryer në një nga këto gjëra, dhe ai do t'i jetë falur. Mbetja do t'i takojë priftit, si në blatimin e ushqimit".

14. Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

15. "Në qoftë se dikush kryen ndonjë shkelje dhe mëkaton nga padituria kundër gjërave të shenjta të Zotit, atëherë do t'i çojë Zotit ofertën e tij për shkeljen, një dash pa të meta të marrë nga kopeja, të cilin ti e çmon në sikla argjendi, sipas siklit të shenjtërores, si ofertë për shkeljen.

16. Dhe do ta lajë dëmin e shkaktuar ndaj gjësë së shenjtë, duke shtuar një të pestën e vlerës, dhe do t'ia japë priftit; kështu prifti do të bëjë për të shlyerjen me dashin e ofertës për shkeljen, dhe shkelja do t'i falet.

17. Në qoftë se dikush mëkaton dhe, në mënyrë të pandërgjegjshme, kryen një diçka që Zoti ka ndaluar të bëhet, është gjithashtu fajtor dhe i detyruar të vuajë dënimin.

18. Ai do t'i sjellë priftit si ofertë për shkeljen, një dash pa të meta, të marrë nga kopeja, sipas vlerësimit tënd. Kështu prifti do të bëjë për të shlyerjen për mëkatin e tij nga padituria, të cilin e ka kryer në mënyrë të pandërgjegjshme dhe ky do t'i jetë falur.

19. Kjo është një ofertë për shkeljen; ai është me siguri fajtor përpara Zotit".

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 5