Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 4:23-35 Bibla Shqip (ALBB)

23. kur ai bëhet i vetëdijshëm për mëkatin që ka kryer, do të çojë si ofertë të tij një cjap mashkull, pa të meta.

24. Do të vërë dorën mbi kokën e cjapit dhe do ta therë në vendin ku theren holokaustet përpara Zotit. Është një flijim për mëkatin.

25. Pastaj prifti do të marrë me gishtin e tij pak gjak nga flijimi për mëkatin dhe do ta vërë mbi brirët e altarit të holokausteve, dhe do të derdhë gjakun e cjapit mbi bazën e altarit të holokaustit;

26. pastaj do të tymosë tërë dhjamin e tij mbi altar, si dhjamin e flijimit të falënderimit. Kështu prifti do të bëjë shlyerjen për atë, dhe mëkati do t'i falet.

27. Në rast se dikush nga populli kryen një mëkat nga padituria kundër çfarëdo urdhërimi të Zotit, duke bërë një diçka që nuk duhet të bënte, duke u bërë, pra, fajtor,

28. kur ai bëhet i vetëdijshëm për mëkatin që ka kryer, do të sjellë si ofertë një dhi femër, pa të meta, për mëkatin e kryer.

29. Do të vërë dorën mbi kokën e flisë për mëkatin dhe do ta therë flinë për mëkatin në vendin e holokaustit.

30. Pastaj prifti do të marrë me gishtin e tij pak nga gjaku i tij dhe do ta vërë mbi brirët e altarit të holokaustit, dhe do të derdhë mbetjen e gjakut të tij mbi bazën e altarit.

31. Do të marrë tërë dhjamin e tij, ashtu si mori dhjamin nga flijimi i falënderimit; pastaj prifti do ta tymosë atë mbi altar si një erë të këndshme për Zotin. Kështu prifti do të bëjë shlyerjen dhe ai do të falet.

32. Në qoftë se ai sjell një qengj si fli të tij për mëkatin, duhet të sjellë një femër pa të meta.

33. Do të vërë dorën mbi kokën e flisë për mëkatin dhe do ta therë si fli për mëkatin në vendin ku theren holokaustet.

34. Pastaj prifti do të marrë me gishtin e tij pak gjak nga gjaku i flisë për mëkatin dhe do ta vërë mbi brirët e altarit të holokaustit, dhe do të derdhë mbetjen e gjakut të tij mbi bazën e altarit.

35. Do të marrë tërë dhjamin, siç merret dhjami i qengjit të flijimit të falënderimit; pastaj prifti do ta tymosë mbi altar, mbi flijimet e bëra me zjarr për Zotin. Kështu prifti do të kryejë shlyerjen për shkak të mëkatit që ka kryer, dhe ai do të jetë falur".

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 4