Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 4:15-30 Bibla Shqip (ALBB)

15. Pleqtë e asamblesë do të vënë duart e tyre mbi kokën e demit të vogël përpara Zotit; pastaj demi i vogël do të theret përpara Zotit.

16. Pastaj prifti që ka qenë vajuar do të sjellë pak gjak nga demi i vogël në çadrën e mbledhjes;

17. pas kësaj prifti do të ngjyejë gishtin e tij në gjak dhe do ta spërkasë atë shtatë herë përpara Zotit, përballë velit.

18. Do të vërë pak nga ai gjak mbi brirët e altarit që është përpara Zotit, në çadrën e mbledhjes; dhe do të derdhë mbetjen e gjakut në bazën e altarit të holokaustit, që është në hyrjen e çadrës së mbledhjes.

19. Së këtejmi do të heqë tërë dhjamin dhe do ta tymosë mbi altar.

20. Do të veprojë me këtë dem të vogël ashtu siç pat vepruar me demin e vogël të ofruar për mëkatin; do të bëjë të njëjtën gjë. Kështu prifti do të bëjë shlyerjen për anëtarët e asamblesë dhe këta do të jenë të falur.

21. Pastaj do ta çojë demin e vogël jashtë kampit dhe do ta djegë ashtu siç ka djegur demin e parë të vogël. Ky është flijimi i mëkatit për asamblenë.

22. Në rast se një ndër krerët ka kryer një mëkat dhe nga padituria ka bërë një nga gjërat që Zoti, Perëndia e tij, e ka ndaluar të bëhet, duke u bërë, pra, fajtor,

23. kur ai bëhet i vetëdijshëm për mëkatin që ka kryer, do të çojë si ofertë të tij një cjap mashkull, pa të meta.

24. Do të vërë dorën mbi kokën e cjapit dhe do ta therë në vendin ku theren holokaustet përpara Zotit. Është një flijim për mëkatin.

25. Pastaj prifti do të marrë me gishtin e tij pak gjak nga flijimi për mëkatin dhe do ta vërë mbi brirët e altarit të holokausteve, dhe do të derdhë gjakun e cjapit mbi bazën e altarit të holokaustit;

26. pastaj do të tymosë tërë dhjamin e tij mbi altar, si dhjamin e flijimit të falënderimit. Kështu prifti do të bëjë shlyerjen për atë, dhe mëkati do t'i falet.

27. Në rast se dikush nga populli kryen një mëkat nga padituria kundër çfarëdo urdhërimi të Zotit, duke bërë një diçka që nuk duhet të bënte, duke u bërë, pra, fajtor,

28. kur ai bëhet i vetëdijshëm për mëkatin që ka kryer, do të sjellë si ofertë një dhi femër, pa të meta, për mëkatin e kryer.

29. Do të vërë dorën mbi kokën e flisë për mëkatin dhe do ta therë flinë për mëkatin në vendin e holokaustit.

30. Pastaj prifti do të marrë me gishtin e tij pak nga gjaku i tij dhe do ta vërë mbi brirët e altarit të holokaustit, dhe do të derdhë mbetjen e gjakut të tij mbi bazën e altarit.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 4