Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 27:14-24 Bibla Shqip (ALBB)

14. Në rast se dikush shenjtëron shtëpinë e tij për ta bërë gjë të shenjtë për Zotin, prifti do të bëjë vlerësimin, qoftë ajo e mirë apo e keqe; çfarëdo vlerësimi të bëjë prifti ai do të vlejë.

15. Dhe në se ai që ka shenjtëruar shtëpinë e tij dëshiron ta shpengojë, duhet t'i shtojë një të pestën e vlerësimit dhe ajo do të bëhet e tij.

16. Në qoftë se dikush i shenjtëron Zotit një arë, pronë e tij, vlerësimi i saj do të bëhet në bazë të farës së nevojshme për të: pesëdhjetë sikla argjendi për një omer farë elbi.

17. Në rast se e shenjtëron arën e tij nga viti i jubileut, çmimi do të mbetet ai i caktuar nga vlerësimi yt;

18. por në rast se e shenjtëron arën e tij pas jubileut, prifti do të vlerësojë çmimin e saj duke llogaritur vitet që mbeten deri në jubile, duke pasur parasysh vlerësimin tënd.

19. Dhe në qoftë se ai që ka shenjtëruar arën do ta shpengojë, duhet t'i shtojë një të pestën vlerësimit tënd dhe ajo do të mbetet e tij.

20. Por në rast se nuk dëshiron ta shpengojë arën e tij ose ia ka shitur një tjetri, nuk do të mund ta shpengojë më;

21. dhe ara, kur shpengohet në jubile, do të jetë e shenjtë për Zotin si një arë që i është caktuar Perëndisë, dhe do të bëhet pronë e priftit.

22. Në rast se dikush i shenjtëron Zotit një arë të blerë prej tij dhe që nuk bën pjesë në pronën e tij,

23. prifti do të caktojë vlerësimin e tij për të deri në vitin e jubileut, dhe ai person do të paguajë po atë ditë çmimin e caktuar, si një gjë të shenjtë për Zotin.

24. Vitin e jubileut ara do t'i kthehet atij që i qe blerë dhe pasurisë së cilës ajo bënte pjesë.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 27