Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 27:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

2. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur një njeri lidh një kusht të rëndësishëm për t'i shenjtëruar Zotit një person dhe mendon t'i japë një barasvlerë,

3. në rast se vlerësimi yt ka të bëjë me një mashkull njëzet vjeç e lart, deri në gjashtëdhjetë vjeç, atëherë vlerësimi yt do të jetë pesëdhjetë sikla argjendi, sipas siklit të shenjtërores.

4. Po të jetë se ka të bëjë me një grua, vlerësimi yt do të jetë tridhjetë sikla.

5. Për ata që janë pesë vjeç e lart, deri njëzet vjeç, vlerësimi yt do të jetë njëzet sikla për një mashkull dhe dhjetë sikla për një femër.

6. Nga një muajsh e lart deri në pesë vjeç, vlerësimi yt do të jetë pesë sikla argjendi për një mashkull dhe tri sikla argjendi për një femër.

7. Nga gjashtëdhjetë vjeç e lart vlerësimi yt do të jetë pesëmbëdhjetë sikla për një mashkull dhe dhjetë sikla për një femër.

8. Por në se ai është tepër i varfër për të paguar shumën e kërkuar nga vlerësimi yt, atëherë do të paraqitet para priftit dhe ky do të bëjë vlerësimin. Prifti do ta bëjë vlerësimin duke pasur parasysh mjetet që ka ai që ka lidhur kushtin.

9. Në rast se është puna për kafshë që mund t'i paraqiten si ofertë Zotit, çdo kafshë e ofruar Zotit do të jetë gjë e shenjtë.

10. Ai nuk do të mund as ta zëvendësojë, as ta këmbejë, as një të mirë me një të keqe, as një të keqe me një të mirë; por, edhe sikur të këmbente një kafshë me një tjetër, që të dyja do të jenë gjë e shenjtë.

11. Por në qoftë se është puna për një kafshë të papastër, që mund t'i ofrohet Zotit, atëherë ai do ta paraqesë kafshën para priftit;

12. dhe prifti do të bëjë vlerësimin, qoftë kafsha e mirë apo e keqe; çfarëdo vlerësimi të bëjë prifti, ai do të vlejë.

13. Por në qoftë se dikush dëshiron ta shpengojë, duhet të shtojë një të pestën e vlerësimit.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 27